MENU
klinika

Në veçanti familjet e prekura nga tërmeti

Krishtlindja/ Meta uron të gjithë shqiptarët

24.12.2019 - 19:43

Presidenti i vendit Ilir Meta ka uruar të gjithë festën e Krishtlindjeve.

Meta shkruan se në këtë ditë të gëzueshme për të gjithë, uron që shqiptarët të mund të rimarrin veten dhe të ndërtojnë një të ardhme sa më të ndritur.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

GËZUAR KRISHTLINDJEN!

Të dashur motra e vëllezër,

Jam shumë i lumtur t’u bashkohem sot festës dhe urimeve tuaja më të ngrohta për Ditën e Bekuar të lindjes së Krishtit.

Begati, mirëqenie, mbarësi, lumturi dhe suksese për Ju dhe familjet Tuaja! Një urim të veçantë kam për të gjithë ata të cilët gjatë këtij viti humbën më të dashurit e tyre, përballuan dhimbje të mëdha, vuajtën nga sëmundjet, skamja, mjerimi, indiferenca dhe papunësia.

Dashuria, gëzimi dhe paqja mbizotëroftë kurdoherë në zemrat dhe vatrat e tyre të ngrohta familjare! Krishtlindja i gjen shumë familje shqiptare në momente jashtëzakonisht të vështira shpirtërore dhe ekonomike! Tërmeti i 26 nëntorit ishte një tragjedi e madhe që na lëndoi të gjithëve.

Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për ata që kjo fatkeqësi e rëndë i ndau përgjithmonë nga të afërmit dhe të dashurit e tyre! Me mijëra familje kanë humbur shtëpitë dhe mundin e një jete. Gra e burra, fëmijë të mitur dhe të moshuar do e kalojnë edhe këtë natë në çadra, të uritur, të sëmurë dhe të vetmuar me shpresën që sa më parë t’i rikthehen normalitetit.

Solidariteti që treguam në këtë fatkeqësi, është një themel i qëndrueshëm ku mund dhe duhet të mbështetemi, për t’u ringritur, gjetur forcën dhe energjinë, për ndërtuar një Shqipëri më të mirë, më të dhembshur dhe më njerëzore. Shumë qytetarë, në mungesë të shpresës dhe shanseve të barabarta, për shkak të plagëve të rënda sociale, dëshirojnë ende të largohen nga Shqipëria.

Le të punojmë të gjithë së bashku, pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme në atdhe, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Është koha të gjejmë forcën dhe kurajën për t’u ngritur mbi dallimet tona, të rrëzojmë muret që na ndajnë dhe të bashkohemi rreth vlerave njerëzore, familjare e kombëtare, të sakrifikojmë diçka tonën për të mirën e përbashkët, të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin dhe ta bëjmë jetën më të mirë, në radhë të parë për ata që kanë më shumë mungesa në këto ditë të bekuara.

Një urim të veçantë kam edhe për Forcat tona të Armatosura kudo ndodhen, për mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe të gjithë ata që kjo natë e Krishtlindjes i gjen në krye të detyrave të tyre, në shërbim të qytetarëve dhe të atdheut.

NGA MOT GËZUAR KRISHTLINDJEN!

ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË DHE KOMBIN SHQIPTAR! ??