MENU
klinika

Liceu francez i Korçës

Kujtimet e ministrit të preferuar të Enver Hoxhës

10.12.2019 - 07:08

Kujtime nga ish Liceisti Behar Shtylla

Liceu Kombëtar i Korçës është nga ato shkolla që këtij vendi i ka dhënë njerëzit më të ditur e të vlerësuar në vite, e mbi të gjitha atdhetarët që dhanë gjithçka vetëm e vetëm që vendi të bëhej.

Edukimi është shumë i rëndësishëm, sidomos kur jeton në një shoqëri që mbi 80% e popullsisë është analfabete, dhe të lind detyra që t’i japin drejtim kësaj çështjeje dhe s’kishte si mos të ishte në qendër të dijes Liceu francez me mësuesit më të mirë të kohës, të cilët ishin të diplomuar jashtë vendit me grada të larta shkencore. Por ne sot do të flasim për një element të rëndësishëm të këtij liceu, për një liceist që tregoi aftësitë e tij të larta në postet drejtuese që ka mbajtur.

Ai është Behar Shtylla, i cili ka lindur në 1918 në Korçë dhe ka vdekur në 1994 në Tiranë. Behari ka hyrë në historinë e Shqipërisë komuniste si njeriu më me eksperiencë dhe ka projektuar politikën e jashtme të diplomacisë së vendit. Është ndër kuadrot e parë të luftës Nacionalçlirimtare.

Për shkak të cilësive të veçanta diplomatike që viheshin re tek ai, u bë nga njerëzit e parë të preferuar të Enver Hoxhës për të punuar në fushën e politikës së jashtme të shtetit. Kështu që në fillim u emërua ministër (ambasador) fuqiplotë në Paris, ndërsa në vitin 1953 zëvendësoi Enver Hoxhën në detyrën e ministrit të Jashtëm, të cilën e kreu për 17 vjet me radhë, pikërisht deri në vitin 1966.

Behari ka lënë pas vetes një material shumë të rëndësishëm, i cili para pesë vitesh i është dhuruar gazetës “Tradita” nga zonja Shtylla, bashkëshortja e Beharit dhe që sot na vjen e publikuar nga Petrit Zeneli me rastin e 100 vjetorit të Liceut Kombëtar të Korçës (Liceut francez), i çelur më 25 tetor 1917.

“..Mësimet e para i kam kryer në qytetin e Korçës, në shkollën fillore nr.1, kurse të mesmen në Lice. Shkolla fillore atëherë kishte 5 klasë dhe e kam ndjekur në vitet 1924-1929. Ndërtesa ishte buzë lumit të Korçës dhe afër Internatit të Liceut (sot shkolla “Themistokli Gërmenji”).

Në vitin shkollor 1929-1930, nuk vajta dot në Lice, se isha i sëmurë, kështu që humba një vit. Në Lice pranimet atëherë bëheshin në bazë të notave të dëftesës së shkollës fillore, por edhe me një farë provimi me gojë. Kur m’u komunikua se isha pranuar, u gëzova shumë, pasi atëherë Liceu mbahej si shkolla më e mirë në Shqipëri dhe unë s’kisha mundësi të shkoja gjetkë, përveç që kisha edhe dëshirë të madhe të vija atje.

Në Lice hyra në vitin shkollor 1930-1931 dhe mbarova në korrik 1939. Me përjashtim të gjuhës shqipe (që bëhej vetëm në klasat e larta, për tre vjet), muzikës dhe gjimnastikës, të gjitha lëndët e tjera bëheshin në gjuhën frëngjisht, edhe kur këto i jepnin mësues shqiptarë. Vetëm provimet e vitit të fundit, që koinçidoi me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, unë i dhashë në gjuhën shqipe, mbasi profesorët francezë u dëbuan nga okupatori dhe u ndalua që mësimet të jepeshin më tej në frëngjisht.

Program i Liceut ishte i njëjtë me programin e liceve të Francës, dhe dëftesa e pjekurisë që lëshonte ai njihej edhe në Francë. Dy vitet e fundit të Liceut jepeshin provimet e bakaloreatit, që ishin të shumta e të vështira. Në këto provime asistonte kurdoherë edhe një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit nga Tirana. Edhe temat e provimeve me shkrim vinin të mbyllura e të vulosura me zarf nga Ministria.

Liceu i vjetër ndodhej në një rrugicë afër kinema “Moravës” (kjo atëherë quhej “Majestik”). Ishte një godinë e fortë, me tre kate, me dhoma mësimi të mjaftueshme, por me një oborr të vogël mbrapa. Vitet e fundit (1937 ose 1938), Liceu u transferua në një godinë të re, afër spitalit civil, nën kodrën e Shën Thanasit. Godina e re u ndërtua nga një prej më të pasurve të Korçës, Thoma Turtulli, i cili, në marrëveshje me qeverinë, i vuri emrin e së shoqes.

Liceu kishte 9 klasë. Emërtimi i tyre fillonte me klasën e 8-të dhe numrat vinin në zbritje, deri në klasën e parë, që në fakt ishte e teta; kurse viti i fundit nuk kishte numër, por ndahej në Filozofi e Matematikë.

Dy vitet e para, në fakt, ishin përgatitore, për të mësuar gjuhën frëngjisht. Kësaj lënde i kushtoheshin 18-20 orë në javë: mësohej gramatika, vokabulari, ortografia. Më kujtohet që libër mësimi bazë ishte “Franca”, viti i parë dhe viti i dytë.

Në këtë vepër të gjitha mësimet thureshin rreth ngjarjeve dhe jetës së një familje franceze, të familjes së zotit Rishar me zonjën e tij, që kishin dy fëmijë, Fransua dhe Kolet. Në vitin e parë kisha mësues të frëngjishtes Lysien Kavalie, njeri i urtë, i duruar, që punonte mjaft me ne, se ishim fillestarë e nuk dinim asnjë fjalë frëngjisht.

Dhe në klasë duhej folur vetëm frëngjisht. Në vitin e dytë kishim profesor Bigu-në, edhe ky i zoti e komunikues, por më i shkathët e më i djallëzuar se i pari. Ruaj kujtimet më të mira për të dy, se më mësuan gjuhën frënge, që më dha mundësi të zgjeroj njohuritë dhe kulturën time.

Gjuha frënge ishte lënda kryesore në vitet e para, por ajo studiohej si lëndë kryesore deri në vitin e tetë (klasa e parë). Ajo ka një gramatikë dhe një ortografi të vështirë, prandaj do shumë punë, edhe sintaksa nuk është e lehtë. Profesorët francezë në këtë lëndë rëndësi të veçantë u vinin tre formave: diktimit, hartimit dhe recitimit (mësimit përmendësh të teksteve në vjershë e në prozë).

Liceu i Korçës të jepte një kulturë të përgjithshme, të gjerë e të shëndoshë, dhe të përgatiste për të ndjekur studimet e larta. Për këtë qëllim, në vitin e pestë (klasa e katërt), nxënësit duhet të zgjidhnin nëse do të ndiqnin degën klasike, nga viti i pestë deri në të tetin; mësonin edhe gjuhën angleze dhe vitin e fundit të bakaloreatit jepnin provim në filozofi, kurse ata të degës reale nuk mësonin anglisht, por më shumë matematikë dhe vitin e fundit jepnin provim në matematikë, jo në filozofi. Ata të degës klasike vitin e fundit nuk bënin matematikë.

Në degën klasike hynin dhe ata që mësonin latinishten e greqishten. Në klasën time ne ishim dy veta që ndoqëm latinisht e greqisht, Nesti Havjari dhe unë. Latinishtja fillonte në vitin e tretë, kurse greqishtja vitin e pestë, dhe të dyja vazhdonin deri në fund të vitit të tetë.

Nota më e mirë në shkollë ishte 20; notat e tjera vinin duke zbritur. Në provimet e bakaloreatit nuk kishte nota, por vetëm vlerësim: shumë mirë, mirë dhe disi, të gjitha këto të kalueshme.

Në Lice, çdo klasë kishte bibliotekë të pajisur me libra në përshtatje me nivelin dhe programin e klasës. Librat dërgoheshin nga qeveria franceze. Këto nxënësit kishin të drejtë t’i merrnin për lexim në shtëpi. Të gjitha ishin në gjuhën frënge. Në Korçë, përveç bibliotekës së shkollës, shumë libra të mira në frëngjisht kishte edhe biblioteka e qytetit, që unë e frekuentoja rregullisht.

Në qytet, kishte gjithashtu edhe 4-5 librari, që me shumicë sillnin libra e revista nga Franca. Natyrisht, literaturë komuniste ishte e ndaluar, por në gjithë atë literaturë gjeje material me frymë përparimtare. Në pamundësi të blinim libra, ne shkonim në libraritë e i shfletonim me etje të madhe. Edhe tekstet zyrtare të shkollës, që i porositnim në Francë nëpërmjet librarive, na mësonin shumë gjëra për mendimin përparimtar e demokratik.

I tillë ishte për shembull teksti i letërsisë frënge i Gystav Lansonit, që shoqërohej edhe me antologji me pjesë nga shkrimtarët më të mirë francezë. I dashur ishte për ne edhe libri i historisë nga Malet dhe Isaac, i cili nuk na futi dashuri vetëm për mitologjinë e pasur greke, por dhe sidomos për Revolucionin e 1789-ës në Francë, për Komunën e Parisit, për kryengritjet e vitit 1848 në Europë, kundër monarkive absolute, na informonte për Revolucionin e Tetorit etj.

Dua të shtoj se këto tekste i kishim për disa vjet me radhë, natyrisht me periudha historike, të ndara nga njëri vit në tjetrin, më të gjera e më të plota, më tërheqëse. Por vlerën e përmbajtjes së këtyre teksteve ua shtonin profesorët që na bënin këto lëndë. Për gjuhën frënge kam pasur profesor nga klasa e gjashtë në klasën e parë ish drejtorin e Liceut, Xavier de Courville (Ksavie de Kurvil) i cili ishte vetë shkrimtar, njohës i thellë i gjuhës e letërsisë frënge, njeri shumë kërkues e skrupuloz.

Para se të vinte në Shqipëri, ai kishte botuar me komente, 6 vëllime, gjithë veprën e dramaturgut të njohur francez Marivaux ( Marivo), të cilat m’i pat dhuruar dhe i kam edhe sot. Më pas shkroi një histori për një nga gjeneralët e Napoleonit, Jomini (Zhomini), që kishte qenë një stërgjysh i tij. Ai vetë ishte monarkist, por kishte pikëpamje demokratike dhe, natyrisht, për regjimin mesjetar të Zogut edhe pikëpamjet demokratike e idealiste të një monarkisti francez mund të dukeshin revolucionare!

Mësimin e historisë na e bënte Petraq Pepoja. Pavarësisht nga ndonjë mungesë, Pepoja ka luajtur një rol të madh në edukimin patriotik të nxënësve të Liceut në ato vite. Ai jo vetëm zotëronte mirë lëndën dhe fliste me pasion, por shumë herë, ndonëse me takt, e sillte fjalën në analogji e krahasime midis ngjarjeve që shtjellonte sipas programit dhe historisë e ngjarjeve në Shqipëri.

Veçanërisht për data të mëdha të historisë si Revolucioni frëng i ’89-ës, etj, Pepua organizonte një lloj aktualizmi të tyre në klasë; kështu, më kujtohet kur kishim për mësim Revolucionin frëng të 1789, na ndau rolet e personazheve kryesore të Revolucionit midis disa nxënësve.

Mua më kishte caktuar rolin e Robespierit. Dhe klasa duhej, si në teatër në një farë mënyre, të bënim debatet e zjarrta që bënin krerët e Revolucionit në Asamblenë kushtetuese franceze. Po kështu, na shpjegonte me patos e hollësi Komunën e Parisit dhe, kur fliste për Luftën e Parë Botërore, gjente rastin të na shtjellonte ngjarjet e Revolucionit të Tetorit në Rusi.

Një vit, nuk më kujtohet cili, mësimin e historisë na e bëri profesori francez Andre Bregeault (Andre Brezho), se Pepua u transferua. Ky vetë ishte poet dhe njeri që kishte qejf të fliste, e hiqte veten monarkist, por më tepër kishte qejf poezinë dhe jetonte mirë; ishte beqar; shumë i afruar me nxënësit. Duhet të ketë shkruar në atë kohë edhe vjersha për Shqipërinë, të cilën e donte sinqerisht. Më duket se ai dhe De Kurvili ndenjën më gjatë se të gjithë të tjerët në Shqipëri, 7-8 vjet. Brezho na bënte edhe lëndën e gjeografisë.

Në përgjithësi profesorët e Liceut kanë qenë të zgjedhur, të aftë për punën e tyre, si shqipëtarët ashtu edhe francezët, se paku ata që kam pasur unë në vitet 1930-1939. Drejtorë teknikë ka patur dy në ato vite: Perret (Pere) dy vitet e parë dhe De Kurvil vitet e tjerë.

Të parin e kam njohur pak, por mesa kisha dëgjuar ka qenë njeri i rregullt dhe drejtor i mirë. Drejtorë administrativë shqiptarë gjithashtu ka patur dy: Sotir Papakristo, njeri shumë i përgatitur e i zoti, sidomos në letërsinë klasike greke, i afërt e i kuptueshëm me nxënësit, i ndershëm edhe politikisht, kurse vitet e fundit patëm Pertef Pogonin, njeri i lidhur me regjimin, burokrat e i vrazhdët me nxënësit.

Drejtorët kujdeseshin në këtë mënyrë: francezi për zbatimin e rregullt të programit dhe mbarëvajtjen e studentëve, shqiptari për administrimin, pajisjen e shkollës, për disiplinën dhe qëndrimin moralo-politik të studentëve etj. Ky mbante edhe lidhjet me autoritetet shqiptare.

Për gjuhën shqipe, për aq sa jepej, kam patur Kostaq Cipon, një nga lëvruesit më të mirë e më të apasionuar të gjuhës shqipe. Në dukje ai mbante distancë me nxënësit, por ne ia dinim ndjenjat dhe zotësinë e tij, prandaj e respektonim. Mësimin e letërsisë e shpjegonte me qartësi të madhe, e bënte tërheqës, mbillte dashuri për letërsinë dhe shkrimtarët tanë, që nga Variboba, Naimi, Çajupi e deri te Mjeda.

Por jo gjithmonë ai e harxhonte orën e mësimit me shpjegime e pyetje; dendur shpjegonte mësimin, pastaj ulej në karrigen e tij dhe rrinte sy mbërthyer në tavan, në heshtje të plotë derisa të binte zilja, atëherë merrte çantën e dilte nga klasa. Një portret shumë të goditur të profesor Cipos e ka bërë Dhimitër Shuteriqi në librin “Vërshime të Vjeshtës”, në tregimin “ Një pasdreke e rrallë korçare” (faqe 157-162) .

Në lëndën e vizatimit kam pasur profesor piktorin e shquar Vangjush Mio, burrë i qetë, i vëmendshëm në punën e studentëve. Unë nuk kam qenë gjë në vizatim, por me Mion u miqësova që atëherë dhe miqësinë e vazhduam edhe pas çlirimit, ashtu si me Cipon, Pepon, Papakriston, Kuneshkën etj.

Ligor Serafimi na bënte shkencat e natyrës. Ky e zotëronte shumë lëndën dhe na shpjegonte mirë, por rrallë largohej nga teksti. Për një kohë, Serafimi na ka bërë edhe matematikë. Edhe në këtë rast ishte fort i përpiktë.

Fizikën na e bënte profesori francez Saint-Genez (Sent Zhene), beqar, i dashuruar me profesionin e tij; mësimin e shpjegonte mjaft mirë, me zërin e tij metalik; përpiqej të na e konkretizonte me disa mjete të pakta, shumë të pakta, që kishte në klasën e fizikës (disa epruveta, një elektrogjenerator të vogël, ndonjë reagent kimik të thjeshtë). Në përgjithësi mjetet për konkretizimin e mësimit, me përjashtim të librave, ishin të varfra. Më kujtohet, në dy vitet e parë të Liceut, për të na mësuar fjalët dhe gjuhën frënge, kishte disa pllakata me figura dhe me emrin përkatës ngjitur; ato quheshin “tablo Delmas” nga emri i shtëpisë botuese.

Në vitin e shtatë (klasa e dytë) Saint-Genez u transferua dhe në vend të tij na erdhi Sotir Kuneshka, që sapo kishte mbaruar atë vit në Francë. Më parë Kuneshka kishte qenë vetë nxënës i Liceut dhe mbahej mend si nxënës i shkëlqyer. Kishim dëgjuar se edhe në Francë kishte dalë i shkëlqyer në mësime, prandaj e pritëm shumë mirë. Dhe në fakt ai i vërtetoi shpresat tona. Edhe nga mosha ishte relativisht më afër nesh dhe modest prej natyre. Bënte çmos që të përvetësonim mësimin.

Mësimin e filozofisë unë e bëra me një profesor të tij, Meyer, nga Alzasa. Fliste pak trashë me theks gjerman, por ishte nacionalist francez. Ishte shumë i qartë në shpjegimin e mësimit. I pëlqente logjika formale dhe duket kishte dobësi për Bergsonin. Ne, me aq sa kuptonim e dinim atëherë, ndonjëherë e kundërshtonim për pikëpamjet që na shpjegonte, i bënim pyetje dhe vërejtje që shprehnin mosaprovimin tonë për idhujt e tij. Ai nuk zemërohej, por përpiqej të mbronte tezat e veta, që ishin edhe ato të programit.

Kam kujtime të mira edhe nga mësuesit e mi të gjimnastikës: Sotir Sugari e Teni Frashëri, i pari ishte më simpatik e më komunikues me ne, por edhe Teni qe njeri i rregullt e kërkues.

Viti shkollor mbyllej me ceremoni, ku merrnin pjesë drejtorët dhe profesorët. Për nxënësit më të mirë, për çdo lëndë jepeshin çmime me libra e certifikata. Librat ishin dhuratë e qeverisë franceze. Unë kisha mjaft të tillë, por një pjesë m’u dogjën në fshat gjatë luftës. Më kanë mbetur tri libra, që gjatë luftës gjendeshin në Korçë. Edhe gjatë vitit, çdo tre muaj drejtoria e Liceut shpallte nxënësit më të mirë në “Tabelën e Nderit” dhe këtyre u lëshonte një certifikatë me vlerësimin për mbarëvajtje mësimore.

Në Lice, çdo student (kështu quheshin nxënësit atëherë) paguante një taksë, 10 franga ari çdo tre muaj. Më kujtohet që, nga viti i tretë, nuk kisha mundësi të paguaja dhe merrja një vërtetim vobektësie në Bashki. Katër vitet e fundit u detyrova t’u jepja mësim privat, për frëngjisht, nxënësve të familjeve të pasura, për të mbajtur veten dhe familjen që, në pamundësi jetese në qytet, u detyrua të shkonte në fshat.

Me pushtimin e vendit, fashistë vendosën dëbimin e profesorëve francezë të Liceut dhe kthimin e shkollës në gjuhën shqipe, në sistemin e gjimnazeve të tjerë. Kështu, klasa ime e Filozofisë provimet e fundit i dha në gjuhën shqipe, por në bazë të programit e sistemit të mëparshëm. Ne ishim klasa e fundit që morëm bakaloreatin.

Në shenjë proteste antifashiste, klasa jonë e fundit dhe disa studentë të tjerë, profesorët francezë i përcollëm deri në Pogradec, ku në restorantin e atëhershëm, buzë liqenit, shtruam një darkë për nder të tyre; i kam edhe sot fotografitë e asaj darke. Aty profesori De Kurvil, duke na përshëndetur dhe me aluzion për pushtimin e vendit nga fashistët, në fund na recitoi vjershën e La Fontenit “Ujku dhe Qengji”. Dhe fjalën e mbylli duke bërtitur: “Rroftë Shqipëria!” Ai mbeti deri në fund një mik i mirë i vendit tonë.

Tiranë, 3 nëntor 1985”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier/ 100 vjetori i armëpushimit

Letra shqip, nga fronti i luftës së parë