MENU
klinika

Futbolli bashkon Kosovën me Shqipërinë

Kupa “Nënë Tereza”, projekti shkon në UEFA

25.12.2019 - 11:28

Një kampionat mbarëkombëtar është ide e hedhur që para një dekade, por duket se tani ka ardhur koha për të gëzuar tifozët dhe për ta vënë në jetë këtë projekt.

Një kompeticion kombëtar i përbashkët mes dy shteteve shqiptare mund të realizohet. Në mos jo kampionat kombëtar, të paktën njëlloj kupe, që zhvillohet përmes garës së përbashkët mes klubeve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Një ide e tillë duket se po diskutohet e piqet nga Armand Duka dhe Agim Ademi. Pra, dy presidentët e FSHF-së dhe FFK-së kanë nisur punën për të bërë realitet një kupë të përbashkët, që mund të quhet “Nënë Tereza”. Kreu i futbollit kosovar zbulon diçka në këtë drejtim:

“Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë tërë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë, të mërkurën, ose të enjten, kur nuk ka ndeshje kampionati.

Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat. Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë.

Kjo garë do të njihet si kupa “Nëna Terezë”. Ne e kemi dorëzuar në UEFA projektin dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të mbajmë mbledhje për këtë çështje dhe do ta diskutojmë.

Kjo çështje i takon më shumë presidentit Armand Duka, që është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në kuadër të kësaj, i takon atij me kompetencë ta përcjellë këtë çështje.

Duka është edhe përgjegjës i federatave të regjioneve si Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Presim që ky projekt të zbatohet dhe të nisë të përgatitet nga viti i ardhshëm.

Ne jemi duke pritur të formohen edhe institucionet tona, që të bëhet një marrëveshje në mes dy qeverive. Ky është projekt më voluminoz dhe duhet punë që të bëhet jashtë kompeticioneve aktuale.

Neve si FFK nuk na mungon vullneti që ta shtyjmë përpara. Kualikimi në Europë? Kemi kërkuar nga UEFA që fituesi i kësaj kupe të jetë i pranuar në garat e fituesve të kupave, që janë jashtë kupës së shtetit.

Spanja, bie fjala, e ka Kupën e Mbretit dhe ky eveniment njihet nga UEFA. Fituesi i Kupës së Mbretit shkon në UEFA dhe ne e synojmë një gjë të tillë.

Krahas kampionit të Kosovës, vendit të dytë dhe fituesit të kupës së shtetit, nga Kosova ose nga Shqipëria, do të jetë një skuadër tjetër pjesëmarrëse në Evropë, që shkon nga kjo kupë.

E dimë se është barrë edhe për klubet, edhe për federatat, por është në interes të bëhet për shkak të aspektit ekonomik të klubeve dhe daljes në Europë” – ka përfunduar Agim Ademi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN