Lidhja Demokratike e Kosovës synon të marrë postin e presidentit dhe atë të kryeparlamentarit ndonëse nuk po gjen pajtim nga partneri potencial i koalicionit.
Për Vetëvendosjen pozita e presidentit është e panegociueshme dhe nëse LDK-ja nuk tërhiqet nga kjo kërkesë vendi mund të shkojë në zgjedhje, në të cilat partia e Kurtit po shprehet e gatshme të matet.
Është bërë tashmë një javë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë zhvilluar takim për arritjen e koalicionit qeverisës. Ndonëse kurorëzimi i koalicionit ishte premtuar të ndodhë që pas certifikimit të rezultateve, një gjë e tillë është stopuar për shkak të mospajtimeve për pozitat e mëdha qeverisëse.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës po presin që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë kompromise të dhimbshme, duke e vënë në diskutim pozitën e presidentit. Ata theksojnë se nga këto negociata nuk do të dalin të nënshtruar.
Përderisa nga Vetëvendosja vazhdojnë të pohojnë se pozita e presidentit nuk do të jetë pjesë e kalkulimeve politike, meqë në atë pozitë duhet të vijë një figurë jopartiake dhe që do të luajë rol unifikues në spektrin politik.