Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka shkruar se oferta e partisë së tij për të harmonizuar programin qeverisës, si dhe për të ndarë përgjegjësitë e qeverisjes përgjysmë, është ofertë tejet gjeneroze.
Kjo, sipas Muratit, tregon vullnetin e fituesit që të arrihet një marrëveshje e cila respekton partneritetin dhe siguron mirëbesim në qeverisje.
Murati ka shkruar tutje në Facebook, se sa i përket vullnetit të palës tjetër, mjafton të shihet kronologjia e pozicionit të tyre.
“Para zgjedhjeve, kur mendonin se do dilnin të parët, thanë se posti i Kryeministrit do duhej t’i takonte Fituesit. Pas zgjedhjeve, ka gati dy muaj që nëpër studio televizive flasin për “koeficientë” e për “pesha” të posteve. Para zgjedhjeve, kur mendonin se do dilnin të parët, thanë se posti i Presidentit nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë, sepse kandidati do duhej të ishte konsensual. Pas zgjedhjeve, nga vendi i dytë, thonë se posti i Presidentit “u takon”, dhe nuk bën ndryshe.
Para zgjedhjeve, kur u ofruam që përgjegjësitë të ndahen në dy blloqe të barabarta, ku njëri bllok kishte postin e Kryeministrit me gjysmën e ministrive, dhe blloku tjetër krye parlamentarin me gjysmën e ministrive dhe u thamë të zgjedhnin, thanë se “nuk mund të bëhet ndarja kësisoj sepse nuk jemi të barabartë”, sepse atëherë mendonin se do dilnin të parët”, ka shkruar ai.
Murati thotë se LDK-ja ka kërkesa më të mëdha tani kur nga zgjedhjet ka dalë si parti e dytë, sesa kur mendonte të dilte e para.
“Ky nuk është vullnet i mirë. Vullneti i mirë duket ndryshe”, përfundoi ai.