Në pallatet e shpallura të pabanueshme në lagjen “Gurra” në qytetin e Lezhës vijojnë ende të jetojnë njerëz, edhe pse në godina është vendosur shiriti i kuq.
Shumë familje po sfidojnë frikën dhe po qëndrojnë në banesat e tyre të dëmtuara me argumentin se këtyre pallateve thjesht i është vendosur shenja e kuqe dhe se autoritetet përkatëse nuk i kanë thënë se si të veprojnë. Banorët kërkojnë një vlerësim zyrtar më të specializuar të objekteve.
“Asnjë lloj përgjigje nuk na kanë dhënë, veç erdhi policia bashkiake e i kanë vënë kryqin. Po rrimë prapë brenda. Duam të dimë të rrimë brenda apo të dalim mos vdesim këtu. Si të vendosin specialistët jemi”– thonë banorët.
Në bashkinë e Lezhës janë shpallur 12 pallate të pabanueshme pas dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit. Këto pallate priten të inspektohen sërish nga ekspertë më të specializuar që do të vendosin për fatin e këtyre objekteve që janë ndërtuar para viteve 90-të.