MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Macron më i vetmuar se kurrë…

04.12.2019 - 09:49

Mund të jeni të talentuar, të pashëm, të aftë në retorikë dhe të guximshëm politikisht, dhe megjithatë të vuani. Në planin afatgjatë, maturia dhe përmbajtja janë përbërës thelbësorë të udhëheqjes së suksesshme dhe janë pikërisht këto dy cilësi që, deri tani, Presidentit francez Emmanuel Macron duket se i mungojnë.

Macron dëshiron të udhëheqë Bashkimin Evropian në shekullin njëzet e një.

Por ai do të ketë sukses vetëm nëse nuk shkon shumë larg. Nëse nuk “e mban dorën”, ai do t’i hapë vetes sfida. Kjo mund të ndodhë nëse Gjermania del nga kriza e saj politike e brendshme, ose nëse vendet e tjera anëtare vendosin të krijojnë një koalicion kundër Francës, ose nëse Macron krijon shumë shumë armiq brenda BE.

Sa më të mëdha të jenë ambiciet e Macron, aq më i madh rreziku për të ardhmen e tij politike.

Politikisht, Macron është një kontradiktë. Si një antipopulist që përdor mjete populiste, ai ka larguar partitë tradicionale politike dhe ka bërë thirrje që politikanët të zëvendësohen nga njerëz të thjeshtë. Prandaj, ai këmbëngul që partia La République En Marche nuk është, në të vërtetë, një parti politike, dhe se ai nuk është as i majtë dhe as i djathtë. Dallimi kryesor është se programi i tij nuk është nacionalist, por pro-evropian, pothuajse kozmopolit, dhe se ai kundërshton populistët e tjerë. Por qëndrimi i tij pro-evropian shkon aq larg sa lejojnë interesat ekonomike franceze.

Kohët e fundit, Macron ka kërkuar marrëdhënie më të ngrohta me presidentin rus Vladimir Putin, dhe duke thënë se NATO-s “i ka ngordhur nervi”. Paralajmërimi i Macron për NATO-n ishte menduar si një thirrje zgjimi për Evropën për të siguruar vetë-autonominë e saj të mbrojtjes.

Falë përpjekjeve të Macron, Rusia u kthye në Këshillin e Evropës në qershor, pas pezullimit të saj në 2014, pas aneksimit të Krimesë.

Pastaj, në një konferencë të një ambasadori në gusht, Macron shprehu mbështetje për kthimin e Rusisë në G8. Dhe në bisedimet bilaterale me Putinin në Fort de Brégançon të Francës në të njëjtin muaj, ishte Macron, jo i ftuari i tij, ai që  foli për një Evropë që shtrihet nga Lisbona në Vladivostok.

Por diplomacia BE-Rusi nuk është fusha e vetme ku Macron po bën “të fortin”. Në tetor, ai vendosi ​​një veto të befasishme kundër negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të dyja këto lëvizje duken në kundërshtim me qëndrimin e tij pro-evropian, dhe pa dyshim e kënaqin Putinin.

Në fakt, veprimet e fundit të Macron janë pa dyshim në interesin e tij personal.

kolana e librave

Franca e Macronit e gjen veten në një vakum gjeopolitik që u krijua nga Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, nga ngritja e populistëve dhe nacionalistëve në Itali, nga problemet me katalonasit në Spanjë dhe nga konsolidimi i regjimeve iliberale në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Lojtarët e vetëm të besueshëm të mbetur në fushë janë Gjermania dhe vendet si Holanda dhe Danimarka. Për shkak se një fitore e Le Pen ndaj Macron do të godiste për vdekje vetë BE-në, Gjermania ka toleruar nismat ambicioze të presidentit francez. Por durimi i saj nuk zgjat shumë.

Në fund të ditës, rregullat e lojës në Evropë janë vendosur akoma nga Gjermania, dhe më saktësisht nga Kancelarja Angela Merkel.

Problemi është se Gjermania është shumë e vogël për ta udhëhequr Evropën më vete, por shumë e madhe për të mos e bërë këtë.

Sidoqoftë, sjellja e fundit e Macron i ka bërë gjërat më të vështira për gjermanët, të cilët dëshirojnë ndryshime, më shumë sesa revolucion. Paralajmërimet e tij për NATO-n nënkuptojnë se Gjermanisë do t’i duhet të zgjerojë aftësitë e saj mbrojtëse, për të cilat ka pak mbështetje nga votuesit gjermanë.

Nëse Macron është tepër këmbëngulës, ai mund të shkaktojë zemërimin dhe rezistencën gjermane.

Por Macron, ka shumë të ngjarë që dëshiron të bëjë një marrëveshje me pasardhësen e Merkel, lidhur me buxhetin e BE-së, çështjen e zgjerimit dhe rolin e firmave franceze në ndërtimin e mbrojtjes së Gjermanisë.

Historikisht, diplomacia franceze shkëlqen në të tilla pazare. Por nën udhëheqjen e Merkel, Gjermania ka shmangur marrëveshje të tilla.

Nga ana e tij, diplomacia hiperaktive e Macron ekspozon një kompleks inferioriteti post-perandorak, simptomat e të cilit, qoftë Brexit apo Putinizëm, po pengojnë normalizimin e Evropës dhe po pengojnë mobilizimin e BE-së për të përballuar Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Retorika e Macron duhet t’i luftojë këto simptoma. Por veprimet e tij të fundit duket se po i riprodhojnë ato.

Sławomir Sierakowski, themeluesi i lëvizjes Krytyka Polityczna, është Drejtor i Institutit për Studim të Avancuar në Varshavë dhe Këshilltar i Lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme.