MENU
klinika

Viziton për herë të parë kampin

Merkel në Aushvic: Më vjen turp për krimet e Gjermanisë

06.12.2019 - 16:15

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vizitoi sot, për herë të parë ish-kampin e përqendrimit në Aushvic.

Atë e shoqëroi kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki si dhe ish-të burgosur dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme hebreje.

Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit e quajti vizitën e Merkelit një “shenjë veçanërisht të rëndësishme” të solidaritetit me ata që u mbijetuan tmerreve të Holokaustit.

Merkeli tha se tmerri i Holokaustit ishte “i pakonceptueshëm”. Ajo theksoi faktin se autorët ishin gjermanë dhe se Gjermania ka një detyrim ndaj viktimave, që t’i përgjigjet përgjegjësisë.

“Unë ndjej turp të thellë përballë krimeve që u kryen këtu nga Gjermania” tha ajo.

Merkelin e shoqëruan ndër të tjera Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster dhe Kryetari i Këshillit Qendror të Sintëve dhe Romëve të Gjermanisë, Romani Rose.

Kampi nazist i Aushvicit mund të quhet ndryshe kampi nazist i përqendrimit dhe i vdekjes.

Ky kamp famëkeq, që kryesisht u përdor për të eliminuar grupet raciale që nazistët i kishin vënë nën shënjestër, ishte edhe një mekanizëm për të përndjekur Dëshmitarët e Jehovait të kombësive të ndryshme, përfshirë edhe ata gjermanë.

Aushvici gjendet në periferi të qytetit polak Oświęcim, të cilin nazistët e aneksuan gjatë Luftës II Botërore. Në fillim ishte një kamp përqendrimi gjerman me rreth 700 të burgosur polakë që i çuan atje në qershor të 1940-s.

Shpejt Aushvici u zgjerua në një kompleks masiv me mbi 40 kampe dhe nënkampe. Katër dhomat e gazit në Aushvic-Birkenau u merrnin jetën rreth 20.000 njerëzve në ditë.

Në vitin 1974 u fut në listën e trashëgimisë në UNESCO ndërsa sot funksionon edhe si një muze dhe hapësirë ku mësohet më shumë për Holokaustin dhe viktimat e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga rrethimi i Leningradit te aventurat e Luftës së Ftohtë

25 faktet interesante të Bashkimit Sovjektik