MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

“Mini-Schengeni”, sabotimi i përpjekjeve për afrim

25.12.2019 - 10:17

Në vitin 1947, “Mini-Schengeni” i kohës ironikisht u pamundësue prej vetë shkijeve e jo prej vizionit të, me nder me thanë, elitës komuniste në Tiranë e llumave të serës së tyne këndej pari.

Qysh e thonë edhe observuesit e CIA-s, në dokumentet e ç’konfidencializueme, vetë politikanët serbë në Kosovë e kundërshtuen trupëzimin e Shqipnis’ si republika e shtatë e Jugosllavisë.

Nji skenar i tillë, gjykonin ata, do të krijonte nji njësi republikane për krejt shqiptarët e, rrjedhimisht, ndikimi serb do të decimohej.

Sot Serbia nuk niset nga pozita të 1947-ës. Sado që në rrafsh teorik “Mini-Schengeni” e nulifikon kufinin shqiptaro-shqiptar, ai veç çka e përjetëson nji ndamje të heshtun mes Kosovës e Shqipnis.

Struktura formale e informale n’Tiranë në mënyrë konspicioze kanë sabotue secilën përpjekje për afrim politik, ekonomik e kulturor mes dy shteteve shqiptare. Por të njejtat struktura janë në gjendje sa çil e mshelë sytë me tregue vullnet për “Mini-Schengen”.

Spin-doktorët që opinionojnë njerëzit kundër bashkimit kofederal Kosovë-Shqipni zakonisht përmendin silogjizmin aristotelik “Kosova shtet i dështuem, Shqipnia gjithashtu, prandaj bashkimi i tyne pjell edhe nji dështim ma të madh”. Po ata s’thojnë edhe diçka tjetër.

FYROM-i i Zaevit: shtet i korruptuem. I krymtë madje. Mali i Zi, shtet i mafiozëve. Serbia me nivele të frikshme të korrupsionit, institucioneve të kapuna, mediave të kontrollueme.

Pse s’thuhet tash për këtë Jugosllavi të re që ka me i rrit aritmetikisht e progresivisht krejt këto aberracione?