MENU
klinika

Eneda Tarifa apo Fifi?

Nata finale e “Kënga Magjike”, kush do të jetë fituesi?

07.12.2019 - 13:35

Sot zhvillohet nata finale e festivalit të “Këngës Magjike 2019”, që këtë vit do të jetë në kontribut të të prekurve nga tërmeti. Organizatorë e pjesëmarrës të “Këngës Magjike” kanë qenë në ethet e përgatitjeve për të ndezur skenën e Pallatit të Koncerteve në tri netët të një festivali, që këtë vit ka në fokus të tij ndihmë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Magjia e edicionit të shkuar të festivalit të televizionit “Klan” e tërhoqi këngëtaren nga Prishtina Jehona Sopin, e shkëputur prej disa vitesh nga muzika, duke bërë që të rikthehet para publikut.

Por jo vetëm Jehonën. Organizimi në nivele kaq të larta ngjalli interesin e shumë këngëtarëve të huaj, që janë këtë vit në “Këngën Magjike”. E veçanta e këtij festivali është edhe pjesëmarrja e zërave të rinj. Ndër ta përmendim Dario Zelën, i cili është pjesë e kategorisë së artistëve të rinj dhe vjen për herë të parë me këngën e tij të veçantë, “Për ty”. Nën prezantimin e Ardit Gjebresë, i cili këtë vit ka zgjedhur të ketë në krah modelen bukuroshe Adrola Dushi. 47 këngët që shkuan në gjysmëfinale u ndanë në dy netët magjike, në datat 4 dhe 5.

Juria profesioniste e festivalit, e përbërë prej 6 anëtarësh, artistët dhe vetë publiku kanë përzgjedhur këngët më të mira për në natën e tretë finale, që do të zhvillohet sot, në 7 dhjetor. Skena madhështore e realizuar me mjeshtëri nga Gaetano Castelli do të mbajë muzikën e mirë e performancat mbresëlënëse të ndërthurura me surprizat, që çdo vit kanë thyer rekordet e shikueshmërisë në ekranin e televizionit “Klan”. I gjithë festivali është ndërtuar mbi moton “Këndojmë për të ndërtuar”, si një edicion i veçantë për të ndihmuar në fatkeqësinë natyrore që goditi vendin javën e kaluar për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve.

Surpriza e natës së parë

Mes dhjetëra artistëve që u ngjitën në skenë për të interpretuar këngët e tyre, spektakli pati edhe një mysafire shumë të veçantë. Bëhet fjalë për këngëtaren e madhe italiane me origjinë shqiptare, Ilirana Hoxha, e njohur ndërkombëtarisht si Anna Oxa.

kenga magjike 15
Ardha e saj ishte surprizë për publikun, pasi nuk ishte paralajmëruar, ndaj në momentin kur u prezantua, publiku u shtang dhe e priti me duartrokitje të mëdha. Producenti i festivalit, Ardit Gjebrea, e falënderoi artisten për prezencën e saj në këtë festival, duke i thënë se ardhja e saj speciale jep një kontribut të veçantë artistik për festivalin. Ndërkohë, edhe vetë Anna e emocionuar, nuk i kurseu disa fjalë prej zemre për mikpritjen e ngrohtë shqiptare.
kenga magjike 10
“Duhet të mësojmë të jetojmë me forcë të mbinatyrshme, që ndonjëherë na lëvizin edhe ndjenjat tona, ndaj duhet të kemi mundësinë për të ndërtuar. Duhet të krijojmë kompeticionin më të bukur, më origjinal të mundshëm”, tha Anna Oxa.
kenga magjike 14

Përgatitjet e natës finale

Duke qenë se finalja e sotme është surprizë, në “Instastory”-n e Ardit Gjebreas apo edhe të pjesëmarrësve në festival mund të shohim prapaskenat e përgatitjes për sonte. Tashmë janë bërë votimet për artistin më të mirë që do rrëmbejë kupën për këtë vit. Por e veçanta qëndron se të gjithë fitimet do të shkojnë për të prekurit e 26 nëntorit. Pra, sonte në finale nuk kemi një garë të mirëfilltë për të nxjerrë zërin më të bukur që vërtetë do të ketë merituar kupën dhe çmimin e madh, por një kauzë më të madhe se kompeticioni, sepse do të këndohet për të ndërtuar shtëpi për të pastrehët e fatkeqësisë nga tërmeti. Në garë tanimë janë 15 artistë. Ndër ta, në votimet “online” parashikohet të fitojë Fifi me këngën “Marova” dhe pas saj vjen me një diferencë të vogël në votim, Eneda Tarifa me këngën “Ma zgjat dorën”. Ndërkohë që skena do të mirëpresë edhe të ftuar surprizë dhe shumë të papritura të tjera. Të shohim kush do të fitojë për një kauzë të tillë njerëzore.

Më poshtë lista e konkurrentëve

Eneda Tarifa – “Ma zgjat dorën”

Soni Malaj – “Shije tradhtie”

Fifi – “Marova”

Marsela Çibukaj – “Thërrime dashurie”

kolana e librave

Orgesa Zaimi – “Verën ku ma le”

Anxhela Peristeri – “Dikush i imi”

Juliana Pasha – “Nuk do qaj”

Lind Islami – “Ti m’ke rrit”

Rovena Dilo ft Hit Man, Rolla – “Cinderella”

Jehona Sopi – “Anej”

“West Side Family” ft. Alban Kondi – “7 ditë”

Erik Lloshi – “Zhgënjim total”

Marjona Metohu – “Bosh”

Inis Neziri – “Ishe ti”

Kastro Zizo – “Pema e jetës”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN