Shqetësimi për procesin e vlerësimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit po kthen nga Kosova shumë prej banorëve të zonave të prekura.
Sipas të dhënave jo zyrtare mbi 17 mijë persona udhëtuan drejt Kosovës pas tërmeteve shkatërrimtare.
Shumë banorë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që u strehuan në Kosovë po kthehen drejt shtëpive. Ndonësë ende e vlerësojnë situatën të pasigurtë për çfarë i pret, thonë se shkak i kthimit është vlerësimi i dëmeve në banesa.
“Ka dy ditë që jemi aty dhe po kthehemi nga meraku dhe inshallah ka pushuar pak”– shprehet një banor i prekur nga tërmeti.
Rreth 17 500 banorë të zonave të prekura nga tërmeti përllogaritet të kenë kaluar ditët pas tërmetit në Kosovë. Ndaj policitë e dy shteteve thonë se janë marrë masa për të krijuar lehtësi në lëvizje.
I pranishëm në Pikën kufitare të Morinit, Amabsadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se lëvizjet janë normale, ndërsa qendrat pritese në anën tjetër të kufirit janë në monitorim të vazhdueshëm.
“Deri tani nuk ka probleme, por ka vetëm solidaritet. Natyrisht duhet ta kanalizojmë në ato gjërat që ka më tepër nevojë sot Shqipëria. Ajo që mund të thëm është se kombi sot është tepër i bashkuar”– u shpreh Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Sipas të dhënave në kufi, 7800 persona u kthyen gjatë të premtes e të shtunës, ndërsa fluksi ishte i lartë edhe sot.