MENU
klinika

Sfidat e 2020-ës

Bashkimin Evropian e pret një vit i vështirë…

23.12.2019 - 18:09

         Bashkimi Evropian mbijetoi edhe një vit. Mbajti edhe zgjedhje çuditërisht pozitive për Parlamentin e tij dhe zgjodhi disa njerëz mbresëlënës, sidomos gra, në pozita udhëheqëse.

Por, pavarësisht kësaj, blloku do të hyjë në dekadën e re me parashikimet për rritje më të ngadalshme ekonomike, me daljen e Britanisë dhe me tensione të rritura midis lojtarëve brenda dhe jashtë bllokut.

Nëse flisni me disa zyrtarë të BE-së, mund të nuhasni ajër optimizmi për të ardhmen e bllokut.

Sipas tyre, unioni ka treguar një rezistencë të vërtetë, duke iu mbijetuar krizave – të tilla si vala e migrantëve – që e kanë kërcënuar.

Ata flasin për suksesin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ku trendi i pjesëmarrjes së ulët është përmbysur për herë të parë prejse ka nisur votimi i drejtpërdrejtë, më 1979.

Pesëdhjetë për qind e popullsisë së BE-së vendosi të dalë në votime – 8 për qind më shumë se në zgjedhjet paraprake të 2014-ës.

Fitorja e parashikuar e së djathtës ekstreme nuk u materializua kurrë.

Ajo fitoi pak, por jo mjaftueshëm sa për të qenë një forcë vërtet çrregulluese. Të Gjelbrit dhe Liberalët gjithashtu rritën numrin e votave.

Edhe në skenën kombëtare pati disa incidente të vogla populiste, që i gëzuan pro-evropianët.

Euroskeptiku italian, Matteo Salvini, u hoq nga Qeveria në Romë, dhe homologu i tij në Austri, Heinz-Christian Strache, dha dorëheqje, pasi një video zbuloi se ka diskutuar kontrata biznesi – në këmbim të mbështetjes politike – me një grua që thoshte se është mbesa e një oligarku rus.

Emërimet e reja në Bruksel ishin gjithashtu mjaft të mprehta, me anim të qartë kah gratë.

Pas një vjeshte me seanca dëgjimore, Komisioni i ri Evropian nisi punën në dhjetor me në krye ish-ministren gjermane të Mbrojtjes, Ursula Von der Leyen – të parën grua presidente.

Ajo ka në krah një grua tjetër frymëzuese, danezen Margrethe Vestager, e cila si nënpresidente dhe komisionare e Konkurrencës do të vazhdojë të mbikëqyrë tregun e brendshëm të BE-së.

Banka Qendrore Evropiane do të drejtohet nga francezja Christine Lagarde, ndërsa Laura Codruta Koevesi nga Rumania, në fund të vitit 2020, do të futet në rolin e prokurores së parë publike evropiane.

Nuk është çudi që një nga frazat e vitit ishte “Evropa është grua”.

Por, përtej publicitetit dhe simbolikës, horizonti i BE-së duket mjaft i zymtë.

Zonja që ka ankoruar BE-në në dekadën e fund, kancelarja gjermane, Angela Merkel, duket gjithnjë e më e dobët, pasi Demokristianët e saj në koalicion me Social-Demokratët pësuan humbje në disa zgjedhje rajonale gjatë vitit 2019.

Me dobësimin e Merkelit brenda vendit të saj, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po e mbush vakuumin.

Edhe pse e ka stiluar veten si pro-evropian të flaktë, ai ka shqetësuar anëtarët lindorë duke folur për bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë.

Ai po ashtu bllokoi dy herë fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo e dobësoi rëndë besueshmërinë e Brukselit në Ballkanin Perëndimor dhe e dëmtoi rëndë politikën e zgjerimit të bllokut.

Është e drejtë të thuhet se BE-ja do të hyjë në vitet e 2020-ta si një klub më i dobët. Për herë të parë ka të ngjarë të tkurret, në vend se të rritet, pasi Britania pritet të largohet nga blloku në janar.

Dhe, derisa blloku ishte i bashkuar në negociatat për ligjin e divorcit me Londrën, bisedimet për tregti të lirë me ekipin e kryeministrit britanik, Boris Johnson – që duhet të nisin dhe të përfundojnë vitin e ardhshëm – mund të krijojnë çarje midis atyre anëtarëve të BE-së që tregtojnë shumë me Britaninë dhe atyre që shohin rritje të mundësive kombëtare.

Por, kjo nuk është ndarja e vetme që blloku mund të përjetojë. Buxheti i ri 7-vjeçar i BE-së duhet të dakordohet në vitin 2020 dhe ai mund të krijojë përballje të reja midis anëtarëve.

Shtojini kësaj edhe një parashikim mjaft të zymtë ekonomik si për Eurozonën, ashtu edhe për vendet e BE-së jashtë saj, përpjekjet e reja për riimponimin e kuotave të migrantëve në disa vende të Vishegradit dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme midis Brukselit dhe qeverive nacionaliste në Budapest dhe Varshavë, për shkak të sundimit të ligjit, dhe do të keni një koktej mjaft djegës.

Plus roli – potencialisht përçarës – që mund të luajnë lojtarët e jashtëm si Putin, Trump dhe Erdogan.

Rikard Jozwiak, REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidentja e mundshme Komisionit Europian

“Marrëveshja e gjelbër”, premtimi i Ursula von der Leyen

Ja përse Merkel duhet të largohet

“Zemra e Evropës” duhet të rrahë më shpejt!

Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, vit vendimtar për Evropën…