Katër partitë parlamentare kosovare,përfshirë dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, VV dhe LDK kanë bërë kërkesë Shqipërisë të ketë një qasje tjetër ndaj Serbisë dhe të anulojë samitin e Durrësit mes tri shteteve Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore për të themeluar të ashtuquajtur “mini-shengenin” Ballkanik.
Dy partitë e tjera që i janë bashkëngjitur kësaj kërkese janë PDK dhe AAK.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu u shpreh për mediat kosovare, kundër takimeve të tilla. Po kështu edhe ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deputeti i zgjedhur, Memli Krasniqi ka kërkuar anulimin e samitit në Durrës
Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini kërkon reagim nga të gjitha vendet mike të Kosovës për mohimin e masakrës së Reçakut, teksa thotë se deklaratat e tilla duhet të ndërpresin çfarëdo bashkëpunimi mes shteteve.
Tentimet për formimin e një “Shengeni” Ballkanik kanë filluar para rreth dy muajve, ku fillimisht tre liderët, Vuçiç-Rama-Zaev janë takuar në Novi Sad të Serbisë, pastaj në Ohër të Maqedonisë Veriore. Kurse është parashikuar që më 21 dhjetor të takohen në Durrës të Shqipërisë.