MENU
klinika

Reforma zgjedhore

Pas 2020 shkrihet Kolegji Zgjedhor

15.12.2019 - 13:01

Mazhoranca nuk arriti të miratonte reformën zgjedhore brenda afatit të kërkuar nga Bundestagu gjerman.

Pavarësisht premtimit të Kryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë të PS, reforma zgjedhore ashtu si komisioni për shkarkimin e Presidentit apo Gjykata Kushtetuese janë shtyre për vitin tjetër.

Në draftin e fundit të sjellë nga ekspertët e komisionit të posaçëm të reformës kërkohet shkrirja e Kolegjit Zgjedhor pas sipas tyre subjektet politike do të mund të ankimojnë vendimet e KQZ-së, në Gjykatën Administrative të Apelit.

“Ankimi kundër vendimeve të KQZ-së shqyrtohet nga Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë nga një trupë e përbërë nga tre gjyqtarë, kurse ankimi ndaj akteve me karakter nënligjor normativ të KQZ-së shqyrtohet nga një trupë e përbërë prej 5 gjyqtarësh,”– shkruhet në draft.

Ndryshe nga sa ka funksionuar me Kodi aktual, vendimin e gjykatës Administrative të Apelit subjektet kanë të drejtë ta çojnë në Gjykatën e Lartë.

“Ndaj vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit mund të ushtrohet ankim në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë brenda 3 ditësh nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar,”– shkruhet në draft.

Por këto ndryshime, me anë të një dispozitë tranzitore deri në datën 1 shtator 2022 përcaktojnë se shqyrtimi i ankimeve do të kryhet nga Kolegji Zgjedhor pasdi kolegji Administrativ në Gjyaktën e Lartë nuk është formuar ende si pasojë e reformës në drejtësi.

Risia në këtë dokument vihet re për rastin kur KQZ merr masë disiplinore dhe administrative ndaj zyrtarit zgjedhor të ardhur nga administrata publike.

“KQZ-ja informon Departamentin e Administratës Publike për zyrtarët zgjedhorë, të cilëve u hiqet dëshmia e zyrtarit zgjedhor, si dhe i kërkon DAP-it informacion për zbatimin e masës së largimit nga shërbimi civil për nëpunësit civilë, të cilëve u është hequr dëshmia,”- sipas draftit.

Në kodin e ri zgjedhor pritet të shtohet edhe një nen i ri, i cili u vjen në ndihmë zgjedhësve me kërkesa të veçanta.

Sipas ekspertëve zgjedhësit që nuk shikojnë kanë të drejtë të kërkojnë që KQZ-ja të pajisë qendrën e tyre të votimit me mjete të posaçme votimi, të cilat lejojnë zgjedhësit që të lexojnë ose të kuptojnë fletën e votimit dhe të votojnë në mënyrë të pavarur.