MENU
klinika

Ndryshimet në rregullore

Pastrim parash/ Banka e Shqipërisë shton kontrollet

26.12.2019 - 17:35

Banka e Shqipërisë ka bërë disa ndryshime në rregulloren “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, që rrisin vigjilencën ndaj transaksioneve përmes një sërë masash që do të zbatohen nga institucionet financiare.

Masat e shtuara nisin që nga kategoritë e vigjilencës, që nuk do të jenë më dy, por tre: kategori të vigjilencës së thjeshtuar, vigjilencës së duhur dhe të vigjilencës së zgjeruar.

Sipas relacionit që shoqëron këtë rregullore, citohet se “subjektet, në momentin e vendosjes së marrëdhënieve të biznesit ose të kryerjes së transaksionit, mbajnë në dosjen e klientit kopje të dokumenteve të paraqitura nga ky i fundit në formën e mësipërme, të cilat duhet të jenë të vulosura me vulën e subjekteve të kësaj rregulloreje, brenda afatit të vlefshmërisë së tyre.”

Në rastin e përfaqësimit të klientit nga një person i tretë nëpërmjet një akti përfaqësimi, subjektet verifikojnë nëse ky person është i autorizuar për të përfaqësuar klientin dhe për të kryer veprimet e kërkuara, kërkojnë të dhëna për identifikimin e klientit dhe të përfaqësuesit të tij dhe i verifikojnë këto të dhëna.

Gjithashtu rregullorja përcakton se “hapja e një llogarie bankare, edhe në rastet kur ajo do të përdoret për kryerjen e transaksioneve në rrugë elektronike (e-banking account), kryhet vetëm me praninë fizike të klientin dhe subjektet duhet të kërkojnë praninë fizike të klientëve dhe të përfaqësuesve të tyre, para se të vendosin një marrëdhënie biznesi.”