MENU
klinika

"Më jepni detyrën se për këtë kam ardhur!"

“Përgatituni për një dëm mbi 500 mln”/ Inxhinieri i ashpër me Ramën

01.12.2019 - 17:03

Inxhinieri Arben Meçe foli me tone të ashpra në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, që po zhvillohet këtë pasdite nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Inxhinieri tha se nuk është aspak e rëndësishme të diskutohet për transparencën e fondeve, por të gjithë duhet të zbresin me urgjencë në terren dhe t’iu japin sa më shpejt zgjidhje njerëzve.

Sipas tij, dëmet e këtij tërmeti do të jenë mjaft të mëdha, mbase mbi 500 milionë, duke shtuar se Durrësi sot është në gjendje katastrofike.

“Paraqitem si një ushtar, që shteti më ka thirrur në mobilizim. Nuk përfaqësoj askënd, vetëm veten time. Jemi një shtab që ka vetëm një detyrë, komiteti i Rindërtimit. Kemi një orë e gjysmë që po harxhojmë kohë. Situata në terren është emergjente në kuptim të kërkesave të qytetarëve. Këtu po diskutohet transparenca, por qytetari kërkon siguri. Ajo që duhet të transmetojmë urgjentisht te qytetari është besueshmëria. Përgatituni për një dëm mbi 500 milionë euro z.kryeministër. Ato që do të mblidhen këtu është ‘hiq’ përpara dëmit që do përballojë Shqipëria.

Vëmendja jonë duhet të jenë të organizohemi që vëmendja të zbresë deri te qytetari. Duhet të kuptoni sa të terrorizuar janë njerëzit. Unë duhet të isha në kushte pune sot, unë dua detyrën, më jep detyrën se për këtë kam ardhur. Nuk kam ardhur për të treguar sa i ndershëm jam, ne sot duhet të fillojmë punën, nuk duhet të humbasim asnjë sekondë. Nuk dua ta diskutoj më transparencën e fondeve, por ne duhet të shkojmë te qytetari. Koha e zgjidhjes së problemit do jetë e gjatë. Durrësi është katastrofë, sa i përket dëmit që ka.

Po goditet besueshmëria ndaj shtetit, ndaj dhe unë kam ardhur këtu që të fuqizojë besueshmërinë ndaj shtetit. Jemi futur në një fazë që i përket rindërtimit, puna ka filluar, por njerëzit duhet të jenë aty ku vërtet është dëmi.

Mua më keni në dispozicion pa dallim, pa asgjë. Këtë shtab unë e shoh shtab lufte, sa më i organizuar të jetë ky dhe sa më tepër skemën e çojmë në terren, deri në qelizë, atëherë jemi të besueshëm, transparenca e fondeve është e fundit gjë”, tha inxhinieri.