MENU
klinika

Kosovë

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj ministrit në detyrë Kujtim Gashi

17.12.2019 - 18:19

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër K.G, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria nuk e ka bërë të ditur identitetin e plotë të të akuzuarit, mirëpo mediat në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.G, gjatë vitit 2015 deri në tetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorur pasurinë publike, shkruan Rel.

Aktakuza ka të bëjë me disa kontrata për transmetimin dhe ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, me mediumet lokale.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri K.G, ka përmbushur elementet e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ministri, Kujtim Gashi, i takon Partisë Demokratike të Kosovës.