Kundrejt garancisë pasurore, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për biznesmenin Lush Osmani, i cili me kërkesë të prokurorisë ishte shpallur në kërkim si i dyshuari përfshirë në skemën mashtruese të tjetërsimit të 68 mijë metra katrorë tokë pranë Kepit të Rodonit.
Fillimisht, organi i akuzës kishte kërkuar masën e ndalimit të tij, por pas vetëdorëzimit të Osmanit, pronar i kompanisë “Shpresa.al”, togat e zeza po me kërkesë të prokurorisë e lanë atë në “Detyrim paraqitje”.
Mësohet se biznesmeni Lush Osmani është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit tre javë më parë, fakt ky i mos bërë publik prej tyre.
Pronari kompanisë “Shpresa.al” dyshohej nga prokuroria se është përfituesi kryesor i një skemë të tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.
Në megaoperacionin e bërë më 25 Tetor të këtij viti, policia arrestoi 18 persona, e ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes të arrestuarve ishte edhe Ardian Iljazaj, ish drejtori i Hipotekës së Durrësit, e ndërsa për pjesën më të madhe të arrestuarve gjykata caktoi arrest shtëpie e detyrim paraqitje.
Mes të arrestuarve ishin edhe juristë, hartograf, topograf e specialistë të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë tjetërsuar tokën shtetërore pa frut në tokë are, e më pas ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit.
Mbi të arrestuarit rëndonin disa akuza si “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”.