MENU
klinika

Vendi i tretë në Europë

Rreziku i varfërisë/ ‘Kërcënohen’ 671 mijë shqiptarë

16.12.2019 - 14:45

Instituti i Statistikave (INSTAT) na njeh me raportin më të fundit që ka kryer në Shqipëri.

INSTAT publikoi për herë të parë të këtë të hënë rezultatet e anketës së të ardhurave dhe nivelit të jetesës bazuar në konceptet e varfërisë relative dhe rrezikut për të qenë i varfër. Teknika e përdorur bazohet në metodologjinë e Eurostat dhe është burimi bazë për krijimin e statistikave të krahasueshme me Bashkimin Europian, në lidhje me shpërndarjen e të ardhurave dhe nivelin e jetesës.

Sipas kësaj ankete, për vitin 2018 shkalla e rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri ishte 23.4%, nga 23.7% që ishte në vitin 2017. Ky tregues, përcaktuar edhe si kufiri i varfërisë relative, jep përqindjen e individëve me të ardhura vjetore nën 60% të medianës së të ardhurave të ekuivalentuara kombëtare.

Kufiri i varfërisë relative për vitin 2018 u rrit ndjeshëm në rreth 161 mijë lekë, nga 145 mijë lekë që ishte një vit më parë. Sipas INSTAT, janë gjithsej 671 mijë shqiptarë që jetojnë poshtë kufirit të varfërisë relative, 10 mijë më pak krahasuar me vitin 2017.

Fakti që varfëria relative ka rënë, pavarësisht rritjes së ndjeshme të kufirit ndarës, mund të interpretohet si një zhvillim pozitiv. Por, sidoqoftë treguesi i rrezikut të varfërisë në Shqipëri ngelet në vendin e tretë më të lartë në Europë. Vetëm serbët dhe rumunët kanë një shkallë më të lartë të varfërisë relative.

Për Bashkimin Europian ky tregues vitin e kaluar ishte 16.9%. Po të bëjmë një krahasim statistikor, rezulton se rreziku i varfërisë për shqiptarët është 38% më i lartë krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian.

Referuar Institutit të Statistikave, e ardhura mesatare për frymë e shqiptarëve vitin e kaluar ishte pak më shumë se 26 mijë lekë në muaj. Krahasuar me vitin 2017, të ardhurat mesatare të shqiptarëve u rritën me 6.6%.