MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

BE, samit për një Europë të gjelbër

13.12.2019 - 14:55

Në samitin e BE-së krerët e shteteve dhe qeverive ranë në ujdi për një kontinent neutral në çështjen e klimës deri në vitin 2050, por pa Poloninë. Disa shtete duan rivlerësimin e energjisë atomike.

Për presidenten e re të Komisionit Europian, të sapo ngjitur në detyrë, Ursula von der Leyen mund të kishte qenë goditja e parë. Para gjithë botës ajo shpalli, se Europa do të jetë deri në vitin 2050 kontinenti i parë neutral për klimë, madje Von der Leyen e krahasoi neutralitetin në çështjen e klimës me zbritjen në Hënë. Neutralitet për klimën do të thotë që ose të gjitha emetimet ndotëse të mënjanohen, ose të mblidhen që të mos dëmtojnë mjedisin.

Por në samit Ursula von der Leyen kishte nevojë për ujdi të vendeve anëtare të VE. Polonia, Çekia dhe Hungaria ishin fillimisht kundër. Për të mos e rrezikuar iniciativën, BE bëri një kompromis me të tre këto vende. Qëllimi i neutralitetit deri në vitin 2050 mbetet, por Polonia fillimisht përjashtohet nga ky afat. Deri në verën e ardhshme, Polonia ka kohë të vendosë për këtë. Çekia merr të drejtën të ndërtojë centrale atomikë. Kancelarja Merkel kërkonte që në deklaratë të thuhet, se “nuk ka përçarje të Europës në pjesë të ndryshme, por një vend që ka nevojë për më shumë kohë.” Samiti pranoi edhe një propozim të presidentit francez, Emmanuel Macron. Ai kërkon, që mallrat e importit të prodhuara në vende që nuk marrin masa për mbrojtjen e klimës të kenë një doganë, që synon mbrojtjen e prodhuesve europianë. Po ashtu BE thekson, se vendet anëtare kanë të drejtën “të vendosin vetë për përzierjen e formave të prodhimit të energjisë dhe teknologjitë e përshtatshme.”

Brüssel EU Gipfel | Pressekonferenz Ursula von der Leyen (Getty Images/AFP/K. Tribouillard)

Projekti i madh i BE për një kontinent neutral për klimën mban emrin “Marrëveshja e Gjelbër”. “Ky do të ishte një sinjal i fuqishëm, që BE në këtë pikë merr përsipër rolin udhëheqës në botë”, u shkroi presidenti i ri i Këshillit të BE, Charles Michel krerëve të shteteve dhe qeverive të BE.

Edhe Kancelarja Merkel e vlerëson këtë nismë të re të BE. Sipas saj “Marrëveshja e Gjelbër” është një “ambicie shumë e madhe”, Por ajo “do të ishte edhe një shenjë e fortë, se Europa vërtet është kontinenti që në vitin 2050 kërkon të jetë neutrale në çështjet e klimës”, tha Merkel në Bruksel. Edhe kryeministrja e re finlandeze, Sanna Marinm me 34 vjeç, kryeministrja më e re e BE, thotë se gjenerata e re “pret nga ne që të veprojmë. Që të bëjmë më shumë.”

Grindje për financimin

Lidhur me koston e ndryshimi të jetës në Europë në favor të klimës, Komisioni Europian reagoi me propozimin për krijimin e një fondi kalimtar prej 100 miliardë eurosh. Aty planifikohen edhe fonde nga sipërmarrjet private, por ato duhet të binden njëherë për këtë bashkëpunim. Me fondin duhet të ndihmohen ato vende, që kanë një rrugë të gjatë përpara në përpilimin e një politike efektive për klimën. BE ende nuk ka bërë premtime, sepse buxheti i saj do të negociohet vitin e ardhshëm. Për disa vende ky fond duket si një premtim bosh. Po të kujtosh se me largimin e Britanisë së Madhe nga BE, në buxhet mungon një shumë e madhe, dihet se përplasjet janë të programuara. Si dhe a duan ta mbyllin vendet e tjera boshllëkun financiar që krijon largimi i britanikëve, kjo nuk është e qartë. Vendet që paguajnë më shumë si Gjermania duan ta kufizojnë buxhetin, vendet që marrin më shumë nga BE, si ato lindore duan të zgjerojnë mjetet financiare. “Nuk mund ta lejojmë që burokratët e Brukselit koston e luftës kundër ndryshimit të klimës t’ua vënë si barrë vendeve e njerëzve më të varfër”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Brüssel EU Gipfel | Angela Merkel (picture-alliance/AP/F. Seco)

Energjia atomike – energji e pastër?

Një temë e rëndësishme për “Marrëveshjen e Gjelbër” është roli që do të luajë në të ardhmen energjia atomike. Gjermania ka vendosur jo vetëm mospërdorimin në të ardhmen të furnizimit me qymyr, por do të çaktivizojë edhe centralet energjike atomike, megjithëse ato nuk emetojnë gaz karbonik, Co2. Franca, që prodhon shumë energji nga centralet atomikë, por edhe Çekia duan që BE të njohë shprehimisht energjinë atomike si jo të dëmshme për klimën.

Çekia ndjek një rrugë ndryshe nga Gjermania. Ky vend kërkon të reduktojë prodhimin e energjisë nga qymyri, por deri në vitin 2040 kërkon të rrisë pjesën e energjisë atomike në gjysmën e energjisë së prodhuar në tërësi. Kryeministri çek, Andrej Babis tha në Bruksel: “Nuk e kuptoj, pse shumë vende kanë probleme me energjinë atomiek. Tek kundërshtarët e kësaj energjie llogaritet edhe Austria. Por pa energjinë atomike çeke, “Vjena do të mbetej pa drita”, thotë me ironi, kryeministri çek. Debati për “Marrëveshjen e Gjelbër” sapo ka filluar.

Christoph Hasselbach, Deutsche Welle