MENU
klinika

Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Sassoli: Shpresojmë të rishikohet vendimi gjatë Presidencës kroate në BE

06.12.2019 - 21:17

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli  ka përsëritur edhe një herë se në tetor, Parlamenti Europian ishte i gatshëm për t’i hapur dritën e gjelbër procesit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se shpreson se me ndihmën e presidencës se BE që do merret nga Kroacia procesi i anëtarësimit të dy vendeve të rishikohet.

“Ne mendojmë se përputhja e hapësirës gjeografike dhe hapësirës politike është në interes të Bashkimit Europian dhe të qytetarëve të saj. E ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Europë. Edhe e ardhmja e qytetarëve europianë është të kenë Ballkanin Perëndimor në BE. Shpresojmë që edhe me ndihmën e presidencës kroate, ky proces të rishikohet në muajt e ardhshëm”, theksoi Sassoli gjatë një konference të përbashkët për mediet me kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic vendi i të cilit merr Presidencën e radhës së BE-së.

“Me rëndësi të veçantë për ne është perspektiva e anëtarësimit të fqinjëve tanë që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit. Shpresoj shumë që në samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Zagreb në muajin maj, do të dërgojmë mesazhe pozitive për të dyja vendet. Ne ndajmë mendimin se duhet të gjejmë një mënyrë për të zhbllokuar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri kroat.

Presidenti i Parlamentit Europian dhe krerët e grupeve politike (Konferenca e kryetarëve) u mblodhën sot në Zagreb për të diskutuar për prioritetet e presidencës së ardhshme kroate të Këshillit të BE-së.