MENU
klinika

Editorial i The Washington Post

SHBA nuk mund ta “lërë në baltë” Ukrainën!

01.12.2019 - 13:00

Një aspekt i anashkaluar i çështjes së Ukrainës është dëmi i vazhdueshëm që po i bën qeverisë së re të Presidentit Volodymyr Zelensky, i cili fitoi zgjedhjet e lira dhe të ndershme në pranverë duke premtuar se do të zgjidhë korrupsionin dhe do t’i japë fund luftës me Rusinë dhe përfaqësuesit e saj.

Zelensky ka bërë përparim në të dyja çështjet, duke nxitur masa antikorrupsion dhe duke negociuar disa marrëveshje me rusët, përfshirë shkëmbimet e të burgosurve dhe tërheqjet e trupave.

Tani, megjithatë, Zelensky përballet me një çështje vendimtare.

Ai është duke u përpjekur të përfundojë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili do t’i kërkojë atij që të shkëputet nga një oligark, i cili mbështeti fushatën e tij dhe po përpiqet të rimarrë kontrollin e bankës më të madhe të vendit.

Ndërkohë, Zelensky ka një takim të planifikuar në 9 dhjetor me Presidentin rus Vladimir Putin dhe krerët e Gjermanisë dhe Francës, me qëllim të përparimit të një marrëveshje paqeje “të ngrirë”, për një kohë të gjatë.

Kaosi që Presidenti Trump shkaktoi në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë ka krijuar një vakum diplomatik de facto. Praktikisht çdo zyrtar i lartë që ka punuar lidhur me këto marrëdhënie në dy vitet e fundit ka dhënë dorëheqjen ose dëshmuar në hetimin dhe është denoncuar nga presidenti.

Zelensky ende nuk është ftuar në Shtëpinë e Bardhë. Dhe Trump ende po përsërit akuza të rreme për rolin e Ukrainës në zgjedhjet e vitit 2016, edhe pasi u tha se ato janë shpikje të shërbimeve të inteligjencës së Rusisë.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili duhet të përpiqet të shpëtojë marrëdhëniet, në vend të kësaj tha se duhet të hetohet lidhur me gënjeshtrat e Moskës.

E gjithë kjo dobëson ndjeshëm pozicionin e Zelenskyt, veçanërisht pasi ai mendon për takimin me Putin, Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin Francez Emmanuel Macron.

Dy të fundit ka të ngjarë të mbështeten te ukrainasit për të bërë lëshime ndaj sunduesit rus, sepse një marrëveshje do t’i lejonte ata të rregullonin marrëdhëniet evropiane me Rusinë.

Ka ende shumë mbështetje  për Ukrainën në Kongres, edhe nga republikanët që janë duke mbrojtur Trumpin.

Ata duhet të bëjnë presion ndaj presidentit dhe Pompeos. Departamenti i Shtetit duhet të caktojë një zyrtar të ri të lartë për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në negociatat e paqes.

Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të tregojnë se janë ende të përkushtuara për pavarësinë e Ukrainës. Përndryshe dëmi që ka bërë Trump do të shtohet.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Washington Post/ konica.al