Reshjet e nisur prej ditës së djeshme po vijojnë edhe sot mbi vendin tonë të shoqëruara me shtrëngata, por në qarqet Tiranë, Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër sipas IGJEUM janë shumë intensive.
Reshjet kanë sjellë fryrje të lumenjve në Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë duke rritur rrezikshmërinë për përmbytje. Në Durrës, Vlorë, Shëngjin është pezulluar lundrimi për mjetet e peshkimit, ndërsa në Sarandë edhe për anijet e pasagjerëve drejt Korfuzit. Si pasojë e motit të keq vetëm pas 14 orësh në det, mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 nga trageti që ndodhej në radë zbritën pasagjerët në Vlorë.
Ndërkohë u ndërpre edhe ndeshja Flamurtari-Teuta, pasi u përmbyt fusha.
Edhe në Durrës forca e detit është 8 ballë, ndërsa një traget ka ardhur në mëngjes dhe një në 11:30 nga Ancona, tjetri pritet në 16:00 nga Bari. Fluksi nga Italia është shtuar për shkak të festave të fundvitit, ku një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur t’i kalojnë pranë familjeve. Në portin e Durrësit anijet e tonazhit të vogël dhe peshkarexhat ndodhen në spirancë për shkak të motit, ndërsa tragetet dhe anijet e tonazhit të lartë vazhdojnë punën.
Shiu do të vijojnë deri nesër në mesditë më pas do të ketë ulje të temperaturave për t’u rikthyer sërish në fundjavën tjetër. Në këto ditë stuhie shumë familje vijojnë që të jenë në çadër si pasojë e tërmetit tragjik që i bëri shtëpitë të pabanueshme.
Në qytet, qeveria i ka dërguar familjet e prekura në hotel dhe shtëpi me qira, ndërsa në fshat ndodhen në çadra, pasi nuk mund të largohen për shkak se kanë bagëtitë.
Mjegull, erë e fuqishme si dhe reshje shiu të dendura në Qafën e Llogorasë. Report Tv sjell pamjet nga aksi rrugor nga Pisha Flamur deri në afërsi të vendhedhjes së Parashutave gati 5 km shikueshmëria për drejtuesit e automjeteve është e kufizuar nga mjegulla, po ashtu dhe era e fuqishme është një rrezik për automjetet që kalojnë në atë aks.
Reshjet e shiut që kanë pushtuar vendin kanë shtuar nivelin e ujit në Lumin e Lanës në kryeqytet. Për shkak të sasisë së madhe të ujit ai Lumi i Lanës është fryrë tejmase në zonën e Pallatit me Shigjeta.
Edhe në Shëngjin është pezulluar lundrimi, pasi dallgët e detit kanë arritur deri në shëtitoren e plazhit.