MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Shpella e Ali Babës dhe paratë e Edit

24.12.2019 - 18:18

       E shikoj me qetësi funksionarin e lartë të një nga universiteteve tona. Po hamë bukë, e ai po vazhdon të teorizojë, se si qeveria duhet të japë para për universitetin. E ka ndrydhur dorën, a ca më keq, u jep privatëve dhe e ka lënë në pikë të hallit universitetin shtetëror, pedagogët dhe studentët…

Ja dhe sot… Kryeministri vazhdon të bëjë propagandë për Paktin me Universitetin -tha. Ti nxjerrë paratë ….

E shikoj dhe nuk i  flas. Ti them që Shpellë e Ali Babës është vetëm në përallë, nuk ka vlerë. Ti them që Edi nuk e ka gjetur akoma….. Në tavolinë, po jo në kafene, nuk kanë vërtet vlerë shumë teorizimet e mëdha, apo ndryshe të tipit akademik. Mërmëritjes time, miku funksionar, i përgjigjet me gjysmë shakaje dhe gjysmë ironie.

E di ti që ishe nga të paktët  që dhe vjet kur studentët dhe pedagogët u ngritën për të drejtat e tyre, ti nuk ishe dakort me ta, e pastaj vazhdoi në mënyrë të drejpërdrejtë. E bëre se e ke mik Edi Ramën, apo ashtu mendon se duhet….

Me Ramën jam dakort në një pikë i thashë. Që fshiu, sa mundi, e si mundi, atë lukuni të pafundme universitetesh, që nuk i hynin në punë njeriu. Sikur të fshinte edhe ca më shumë akoma, më mirë do bënte. Ishte një përpjekje e mirë për të shpëtuar, në një nga cmënduritë e pafundme që na kanë mbërthyer tridhjetë vjet.

Me studentët, realisht nuk kam gjë dhe natyrisht që edhe sikur të jem njëqind përqind me qeverinë, kundër tyre nuk mund të jem  kurrë.

Po besoj se ju nuk dini, as ti kërkoni dhe as të punoni për të drejtat, e ca më shumë për detyrat tuaja.

Dhe aty për aty mora nga tavolina një shishe ujë që për dreq edhe ajo nuk ishte prodhim shqiptar.

E sheh këtë shishe ? Kjo turpëron cdo dekanat, e cdo profesorat po të duash i thashë.

Në një cep të shishes ishte shkruar.

Licensuar nga Universiteti Italian….

Thua të ketë marrë para universiteti për licensimin e këtij uji? Natyrisht që po. Dhe këto para kanë shkuar në të ardhurat e tij.

Po nuk është vetëm uji. Tani ra një tërmet dhe një inxhiniere e zonja që mbarte tërë urtësinë e botës në vete, këshilloi se cfarë mund të bëhej në atë situatë. Nëse universiteti do ta kishte në dorë licensimin e hekurit të përdorur, të materialeve të ndërtimit, të goditjeve sizmike etj dhe jo lloj lloj firmash fantazmë që i kanë realisht në dorë këto, besoj do të kishim shmangur gjysmën e tragjedisë që erdhi edhe për shkak të gabimeve njerëzore.

Universiteti është më shumë se shteti. Është thjesht gati i përjetshëm. Franca ka ndërruar disa herë formën e Republikës, a të llojit të qeverisjes, por Shkolla politeknike e krijuar realisht nga Napoleoni qëndron aty e përjetshme.

E kam shkruar dhe herë tjetër këtë gjë. Edhe në periudhën e “100 ditshit” të Napoleonit, ka një pikturë që e tregon atë në këtë shkollë megjithse koalicioni i armiqve të Francës, po mbërin në kufijtë e saj..

Shumë njerëz, mendojnë se duke shkatëruar institutet e kohës komuniste është bërë gabim i madh. Vetë mendoj se gabimi është tjetërkund. Prishja e një gjëje, do zëvëndësuar me një tjetër. Ndërrimi i sistemit, do të duhej të ndërronte edhe formën e mbajtes së universiteteve dhe zgjidhjen e problemeve që i paraqiteshin shoqërisë.

Ai që ka vajtur jashtë, e kupton qartë se ka një mardhënie të ndërsjelltë të universiteteve me shtetin dhe kompanitë e mëdha. Këto të fundit problemet që u dalin i shpien për ti zgjdhur në universitet, duke paguar paranë përkatëse. Po te ne që jemi Republikë tregtare, zor se mund të gjesh kompani të tilla që bëjnë këtë punë. Paratë vijnë vetëm nga buxheti i shtetit. Nga i gjen ai ? Nga taksat e popullit.

Po, a mund ta prodhojnë vetë paranë universitetet?

Mendoj se një pjesë të mirë të tyre, po. Nëse sipër dhashë shëmbullin me shishen e ujit, hekurin, a goditjet sizmike, shëmbujt e tjerë, mund të jenë deri në infinit.

Nëse ta zëmë se shteti do të projektojë një rrugë 30 milionë euro dhe 5 përqind të saj i merr arkitekti, atëhere këtë punë fare mirë do ta bënte katedra e inxhinierisë së ndërtimit në bashkëpunim me katedra të tjera . Që merrnin përsipër nga studimi i trasesë së rrugës, ujërave nëtoksorë e deri në imtësitë më të vogla. Ky 5 përqind bën 600 mijë euro. Gjysmën e merr katedra për tu modernizuar dhe gjysmën 4 apo 5 profesorë dhe 10 studentë ekselence. Dhe garancia e studimit real për cështjen është 100 përqind . Më e madhe, shumë më e madhe se e vetë shtetit.

Mos u duket ndonjë habi. Rruga e Elbasanit që u prish, e u rindërtua duke fshirë dhe nja njëqind e ca milionë euro të tjera, nga buxheti I shtetit, domethënë nga taksat e popullit, nuk kishte marrë parasysh elementët që thamë më sipër… Po ti kishte bërë studimin universiteti apo katedra përkatëse, natyrisht këto hatara nuk do të ndodhnin.

Nuk ka asnjë universitet në botë, që funksionon ndryshe. Në socializëm kishte një lloj menazhimi. Tani ky duhet të jetë ndryshe. Vetëm duke u ngarkuar detyra dhe duke krijuar idera, e zgjidhur probleme universitetet, mund të krijojnë para, borgjezi profesorale dhe studentë të së nesërmes, që janë të aftë që ditën e parë të punës.

 

I kam qejf shembujt. E bëj këtë dhe të nxis ata që kanë mënd më shumë nga unë për këto gjëra. Nëse në Gjirokastrën që po bie cdo ditë e më shumë, do të kishe një minishkollë me 100 nxënësa fshati, që merrnin një bursë simbolike nga shteti dhe praktikën mësimore do ta bënin në shtëpitë gjysmë të rrëzuara të qytetit dikur madhështor, sot ato shtëpi do të ishin rregulluar me kohë ..

Besoj se në cfarë thashë mund të ketë gabime. Po ajo për të cilën jam i bindur është një gjë. Shteti nuk mund ti ushqejë universitetet 100 përqind, nëpërmjet një buxheti të centralizuar, kompetencë e burokratëve të ministrive që fërkojnë duart për të ndarë tenderat e radhës. E vlefshme kjo dhe për ministrat kjo që janë aty për politika e jo për emërime, a vlerësimë tenderash. Ky shtet nuk quhet as kapitalist, as komunist, as ashtu e as kështu. Nuk i hyn në punë njeriu.

Shteti duhet të hyjë në mardhënie reale me universitetet. Ndryshe do të vijnë të gjithë vërdallë, për të marrë thërimen e radhës, që nuk të shpie asgjëkundi, vecse në mjerim.

Mjerim studentësh, mjerim profesorësh që kanë ëndra normale për bibliotekë të madhe dhe kualifikim po të tillë.

Historirave me nostalgji të ish sistemit që mbante pafund institute, u ka ikur koha. Nuk i ngjall dot njeri se i përkasin një mënyre tjetër menaxhimi. Po kjo nuk do të thotë të lësh vëndin pa mbrojtje dhe universitetet nën lëmoshën e shtetit. Tani besoj ka vlerë ndërveprimi.

Në nuk ka vlerë cfarë them më sipër, modestisht propozoj që shpini nja dy njerëz jashtë, të kuptojnë si funksionojnë universitetet private, a shtetërore dhe do të kuptoni ca më shumë, e ca më mirë se unë.