MENU
klinika

"Fjala e prangave të internimit"

Shuhet shkrimtari Mehmet Myftiu

23.12.2019 - 16:48

       Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, Mehmet Myftiu, shkrimtari shqiptar që vuajti përndjekjen komuniste. Lajmi bëhet i ditur nga miq të Besa Myftiut, vajzës së tij, shkrimtare e njohur po ashtu. Vitin që shkoi, ajo i botoi babait librin “Nuk i dua thinjat” me poezi të hershme.

Të shkruara 66 vite më parë, pothuaj një jetë më parë, që e shohin dritën e botimit vetëm tani. “E pyeta nëse donte t’ia botoja dhe ai pohoi. Mendova se qe një dhuratë e mirë për datëlindje. Janë të vetmet poezi që ka shkruar babai, gjysmën e tyre i ka shkruar në internim. Çuditërisht janë poezi për dashurinë, sigurisht ka dhimbje, por janë poezi për rininë, nënën, gjyshen, sikur në ato ditë që babai ishte në internim ka menduar për të gjithë njerëzit e dashur edhe ua ka ditur vlerën. Unë i kam lexuar që kur kam qenë adoleshente”,- thotë Besa.

I lindur në Tiranë më 1930, në moshën 12-vjeçare, Mehmet Myftiu u internua në kampin nazist të Prishtinës, ku shpëtoi rastësisht nga vdekja. Pas Çlirimit punoi si gazetar, duke iu kushtuar në të njëjtën kohë letërsisë. Ai guxoi të vërë në dyshim ligjet e realizmit socialist dhe të mbrojë të drejtën e shprehjes së mendimit të shkrimtarit Kasem Trebeshina. Autoritetet komuniste e dërguan në internim, ku lindi jo vetëm romani i tij autobiografik me titullin “Shkrimtari” që u dënua si reaksionar nga regjimi, por edhe shumica e poezive që u botuan së fundmi.

Mehmet Myftiu u deklarua “Armik i popullit” dhe iu hoq e drejta e botimit. Për 25 vjet punoi si shitës cigaresh në kinkaleri. Veprat e tij u botuan pas rënies së regjimit. “Babai edhe internimin e nazistëve edhe të komunistëve e ka jetuar me shumë heroizëm, duke u munduar që të gjejë një forcë shpirtërore në idealin e tij. Ai thoshte gjithmonë ‘unë nuk jam viktimë’, unë e kam zgjedhur fatin tim’”- thotë e bija.

Ajo shton se, njëherë i ati i ka thënë se “‘duhen tetë tërmete që të dalë vepra ime’. Më vjen keq që ‘Shkrimtari’, libri i parë disident në vendet e Lindjes, ku im atë e kuptoi që regjimi ishte i gabuar, nuk është vlerësuar sa duhet, sepse të tjera gjëra kanë pasur më shumë rëndësi në këtë zhvillim të vrullshëm të kapitalizmit”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

Botim në italisht dhe bullgarisht

“Epika e yjeve të mëngjesit”