MENU
klinika

Nga Albert Doja

“Ta shohim artin a këngën e festivalit përtej universalitetit estetik”

29.12.2019 - 14:20

Mikaela Minga dhe anëtarët e tjerë të përfolur të jurisë së Festivalit mund të argumentojnë më mirë se kushdo motivimet e tyre, por këngët e Festivalit, ashtu si dhe motivimi i tyre dhe debatet e reflektimet e shumta mbi to janë para së gjithash një objekt i mirëfilltë studimi antropologjik, sepse më shumë se çdo gjë tjetër këto flasin mbi marrëdhëniet shoqërore dhe rreshtimet kulturore e ideologjike të individëve dhe grupimeve të ndryshme në shoqërinë shqiptare, se sa mbi vlerat e këngëve dhe gjendjen e kulturës artistike në Shqipëri.

Këto debate më kujtojnë një parim bazik në antropologji, sipas të cilit jo vetëm etnocentrizmi por edhe relativizmi janë një lloj virusi iracional që shkakton atë lloj anarkie kognitive prej së cilës mund të shpëtojmë vetëm nëpërmjet kërkimit të invarianteve universale, çka përbën edhe objektin themelor të një pjesë të mirë të antropologjisë bashkëkohore.

Antropologët kanë vërejtur qysh herët universalitetin e krijimtarisë artistike dhe kënaqësisë estetike. Kjo mbetet një nga invariantet apo universalet fondamentale të antropologjisë së artit që ka shërbyer për të hedhur poshtë parimet evolucioniste dhe etnocentrike të hierarkizimit të grupeve dhe shoqërive njerëzore.

Pavarësisht produkteve të larmishme në të cilat manifestohet arti, ajo çka përbën universalitetin e tij është dimensioni estetik që e gjejmë te çfarëdolloj grupi shoqëror apo shoqërie. Në këtë kuptim, nëse përjetimi estetik është një nga bazat e përjetimit të përbashkët të botës, atëherë ky lloj përjetimi është edhe një nga elementet universale që bën të mundur të kuptojmë dallimet artistike dhe t’i shikojmë ato më shumë si pasuri se sa si skandale.

Megjithatë, përtej universalitetit estetik, nga pikëpamja e antropologjisë bashkëkohore, kur flasim për një objekt arti apo këngë festivali nuk duhet menduar vetëm me termat e bukurisë estetike dhe të performancës teknike të nivelit artistik apo standardit muzikor, poetik, stilistik, gjuhësor, dialektor, etj.

Përkundrazi, veprën e artit apo këngën e festivalit duhet ta shohim brënda një rrjeti marrëdhëniesh shoqërore ndërmjet aktorëve të ndryshëm shoqërorë që përmes një vepre artistike tregojnë një agjenci të caktuar në shërbim të një qëllimi të caktuar shoqëror, kulturor dhe ideologjik.

/ Marrë nga profili i Albert Doja