MENU
klinika

"Takohemi nesër!"

Thaçi nuk heq dorë, tjetër ftesë Kurtit

30.12.2019 - 13:08

Sipas mediave në Kosovë, pas dy ftesave të refuzuara, Presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar sërish ftesë për takim liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Takimi parashihet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë.

“Me qëllim konsultimin për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Dje Albin Kurti tha se Presidenti përcakton vetëm datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më parë Thaçi i kishte dërguar dy ftesa të tjera Albin Kurtit për tu takuar për mandatimin e këtij të fundit për formimin e qeverisë. LVV ftesës së parë iu përgjigj se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës dhe se Albin Kurti do t’I komunikonte presidentit orën dhe datën e takimit kurse ftesës së dytë lideri i VV iu përgjigj duke kritikuar Thaçin se fillimisht i kishte përcjellë ftesat te portalet.

Mister mbetet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të ketë tentativa të tjera nga Vetëvendosje për koalicion me LDK-në për krijimin e qeverisë së re.

Isa Mustafa u shpreh një ditë para konstituimit të Kuvendit të Kosovës se mund të votojë Albin Kurtin për kryeministër, ashtu sikur votoi kryetarin e Kuvendit nga Vetëvendosje dhe më pas partia e tij të dalë në opozitë.

“Nëse LVV nuk është gati për këtë marrëveshje dhe sheh LDK si pengesë se po deklarojë se LDK është e gatshme të heq dorë nga kërkesat për përgjegjësi, duke ia lënë këto pozita VV. LDK është e gatshme që të votojë me 28 deputetë për institucione të reja, kryetarin e kuvendit dhe Qeverinë pa LDK, nëse nuk janë të gatshëm që të bashkëqeverisin me ne.

Nëse ne tërhiqemi nga përgjegjësitë qëndrojmë si parti opozitare, sepse parti ndërmjetëse në Kuvend nuk ka” deklaroi ai.

Viti 2019 në Kosovë do të mbyllet pa qeveri të re.

Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV, Albin Kurti ka deklaruar se datën për krijimin e qeverisë e përcakton LDK-ja dhe jo Presidenti. Ai shtoi se do të ketë intensifikim të takimeve me partinë e Isa Mustafës për një marrëveshje në janar.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa që përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, i përgjigjet Kurtit duke i thënë se nuk është partia e tij ajo që po pengon krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

Mustafa thotë se LDK-ja nuk po kërkon lëmoshë, por atë që i takon në raport proporcional me atë që ka fituar në zgjedhje, një deputet më pak se Vetëvendosje.