Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë një mesazh për shqiptarët e prekur nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit, pas vizitës së zhvilluar paraditen e sotme në qytetin e Durrësit, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Zaev shkruan në Facebook se së bashku me liderët e tjerë të rajonit kanë zhvilluar takim me disa prej familjeve të prekura nga tërmeti tragjik dhe që shtëpitë e tyre tashmë po rindërtohen.
Duke shprehur mbështetje për këtë situatë, kreu i qeverisë maqedonase thekson se sot në Tiranë, në Samitin që do të zhvillohet mes liderëve të këtyre vendeve, do të firmoset një dokument për trajtimin e përbashkët të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave.
“Si një shprehje solidariteti me qytetarët e Shqipërisë, dhe në mbështetje të frymës dhe mbështetjes së banorëve të qyteteve dhe vendbanimeve të tjera që pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë dhe drejtuesit e tjerë të pranishëm në një takim në Tiranë, ne vizituam këtë mëngjes Durrësin.
Ne u takuam me disa nga familjet që tani po rindërtojnë shtëpitë e tyre në vazhdën e fatkeqësisë tragjike, dhe riafirmuam gatishmërinë tonë për të vazhduar me mbështetje dhe ndihmë të mëtejshme në periudhën e rimëkëmbjes nga tërmeti.
Me vizitën në Durrës, ne njoftuam bashkëpunimin tonë të përbashkët në trajtimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave që do të përfshihen në dokument për integrimin më intensiv të rajonit që do të miratohet sot në Tiranë”– shkruan Zaev.