Braktisja e banesave ka sjellë një tjetër pasojë që shqetësoi jo pak banorët e Durrësit.
Shumë prej banorëve shpreheshin se shqetësoheshin t’i linin shtëpitë e tyre vetëm, kjo sepse hajdutët po vidhnin sendet e tyre materiale.
Në një komunikatë zyrtare Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit qetësoi të gjithë qytetarët, duke u shprehur se policia në qarkun Durrës është në patrullim 24 orë në 7 ditë të javës, duke u ndihmuar edhe nga forcat speciale (Renea dhe FNSH) si dhe nga punonjës policie të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
“S’ka asnjë vend për panik. Ftoj qytetarët që të telefonojnë në numrin 112 për çdo problematikë që ata kanë, duke i garantuar se do gjejmë reagim të shpejtë e në kohë, edhe për ato problematika që nuk i përkasin Policisë, do t’i përcillen shtabit të emergjencës, në përbërjen e të cilit është edhe Policia e Durrësit”– theksoi Drejtori i Policisë, Lorenc Shehu.