Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev mbërrijnë në Tiranë në kuadër të Samitit të tretë të Shengenit Ballkanik i cili do të jetë dy ditë, në kryeqytet dhe Durrës.
Menjëherë Vuçiç dhe Zaev janë pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kanë filluar takimin informal në ambientet e hotel ‘Rogner’.
Pas Novisadit në Serbi dhe Ohrit në Maqedoni, tashmë i takon Shqipërisë dhe Ramës të jenë pritës të takimit për Samitin trepalësh.
Vuçiç, Zaev dhe Rama pas takimit informal do të marrin pjesë në eventin e bamirësisë ‘Ti nuk do të jesh kurrë vetëm’, për mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nesër ata do të inspektojnë zonat e prekura nga tërmeti në Durrës dhe më pas do të zhvillohet Samiti i tretë i cili fillon në orën 10:00 të paradites.
Në orën 12:00 të ditës së nesërme do të ketë takim mes delegacioneve ndërsa pjesë e Samitit do të jetë dhe Presidenti i Malit të Zi Gjukanoviç i cili vjen nesër në mëngjes. Në orën 13:15 do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp për të shpalosur konkluzionet.
Ndërkohë që qytetarë të shumtë janë mbledhur para Kryeministrisë, aty ku Vuçiç po zhvillon një takim informal me kryeministrin Rama.
Nga ana tjetër, në rrugë ndodhen edhe forca të shumta policore, për të shmangur ndonjë incident të mundshëm.