MENU
klinika

Nga Ibra, te Cavani

Yjet e futbollit me “valixhet” gati në janar

26.12.2019 - 11:37

Po i afrohemi janarit, që korrespondon me hapjen e merkatos dimërore. Klubet në të gjithë Europën janë vënë në punë për të mbuluar “vrimat e vogla” të zbuluara gjatë pjesës së parë të sezonit.

E nisim me Christian Eriksen. Danezit i përfundon kontrata me Tottenhamin qershorin e ardhshëm, por ai refuzon të rinovojë. As ardhja e Mourinhos nuk e ka bindur mesfushorin, që pret Real Madridin të hidhet në aksion duke paguar për kartonin e tij.

Zlatan Ibrahimovic sapo ka  përfunduar kontratën me Los Angeles Galaxy dhe e ardhmja e tij është një mister. Ibrahimovic konfirmoi se do të kthehej në Itali dhe, megjithëse dukej që Milani e kishte mbyllur marrëveshjen me, nënshkrimi i Carlo Ancelottit me Evertonin mund ta bëjë të ndryshojë mendje.

Erling Haaland është zbulimi i këtij sezoni. Ai do të largohet nga Salzburg gjatë muajit janar dhe gara për të fituar shërbimet e tij po bëhet edhe më e ashpër. Edhe pse Manchester United duket në “pole”, Juventusi, Leipzig dhe Dortmund do të bëjnë gjithçka për të.

Edison Cavanit i përfundon kontratën në qershor me PSG. Por realiteti është se Mauro Icardi e ka fituar vendin e titullarit dhe lojtari dëshiron të largohet. Marrëveshja midis sulmuesit dhe Atletico Madrid është arritur, kështu që thjesht duhet të dakordësohet edhe me klubin parizien për shumën që do të paguhet në janar.

Arturo Vidal po mbulon faqet e para të gazetave italiane. Situata e mesfushorit kilian është e pakëndshme, sepse ai nuk është titullar për Ernesto Valverden te Barcelona. Lojtari tashmë ka treguar pakënaqësinë e tij në më shumë se një rast dhe Interi duket i vendosur për të kënaqur Antonio Conte me nënshkrimin e tij. Janë edhe të tjerë futbollistë me valixhe në dorë, por përmendëm më kryesorët.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN