MENU
klinika

Një pjesë ende në formë

11 futbollistë që luajnë në dekadën e katërt

07.01.2020 - 17:47

Kur thua 4 dekada, duken shumë, por për disa futbollistë mosha është vetëm një shifër. Ibrahimovic sapo debutoi për herë të dytë me fanellën e Milan, Buffon mbrojti portën në Superkupë, Casillas u rikthye te Porto.

Këta të tre janë pjesë e një grupi të përzgjedhur të futbollistëve, që kanë qenë profesionistë aktivë gjatë katër dekadave të fundit; përkatësisht në vitet 1990, 2000, 2010 dhe 2020.

 

ZLATAN IBRAHIMOVIC

Ibrahimovic është rikthyer në Serie A në moshën 38 vjeç. Suedezi i ka bërë të gjitha në karrierën e tij 21-vjeçare, përveç faktit të jashtëzakonshëm që, pavarësisht se ka luajtur për gjashtë klube, nuk ka fituar dot Ligën e Kampionëve.

Fatkeqësisht, nuk ka gjasa ta ndryshojë këtë fat tani, pasi Milani aktual nuk ka gjasa të rivalizojë në konkurrencën elitare të klubeve, sezonin e ardhshëm.

GIANLUIGI BUFFON

Ndërsa është mbresëlënës fakti që Buffon është ende te Juventusi, pas një qëndrimi të shkurtër te PSG, e vërteta e trishtuar është se ato doreza me të vërtetë duhen varur tani.

Kushdo që ka shikuar veteranin në dy sezonet e fundit, do të ketë qenë dëshmitar i një varg gabimesh, kryesisht prej moshës, i fituesit të Kupës së Botës më 2006.

IKER CASILLAS

Legjenda e Real Madridit ishte te Porto që nga viti 2015 dhe është ende zyrtarisht në “librat” e klubit portugez. Kjo, pavarësisht se pësoi një atak kardiak në maj, gjatë një seance stërvitore, dhe përfundoi në spital.

Pas kësaj, ai u detyrua të mohojë raportet që kishin dalë, se tërhiqej nga futbolli. Shpresat e tij janë që të luajë përsëri me Porto pasi po stërvitet me pasion.

CLAUDIO PIZARRO

Sulmuesi i Werder Bremen tani është 41 vjeç dhe po luan sezonin e tij të 12-të radhazi në Bundesligë, ku kulmin natyrisht që e ka me Bayern Munchen.

claudio pizarro
claudio pizarro

Në këtë ligë ka kaluar pjesën dërrmuese të karrierës, pavarësisht fillimeve në Peru dhe një qëndrimi të shkurtër te Chelsea pa ndonjë shkëlqim.

ROQUE SANTA CRUZ

Nuk janë shumë lojtarë, që mund të thonë se kanë luajtur për Bayern Munchen, Manchester City dhe Blackburn Rovers në karrierën e tyre, një arritje mjaft e shkëlqyer.

Sulmuesi në fjalë është duke luajtur akoma për Olimpia, në Paraguajin e tij të lindjes. Është 38 vjeç ndihet në formë, nuk ka lënë asnjë shenjë se do të tërhiqet.

GARETH BARRY

Ish-ndërkombëtari i Anglisë është padyshim në muzgun e karrierës së tij, por West Bromwich Albion ka vendosur ta federojë përsëri, deri në fund të sezonit.

Kontrata e tij fillestare kishte skaduar gjatë verës dhe ai po stërvitej me klubin për t’u rikuperuar nga një dëmtim dhe klubi ia shpërbleu. Është edhe çështje respekti.

ARTUR BORUC

Portieri polak është akoma te Bournemouth, megjithëse i rëndojnë shumë këmbët tani. Karriera e Boruc ka qenë disi e nënvlerësuar.

Ai ka fituar nëntë trofe të mëdhenj, pjesën më të madhe me Legia Warshaw dhe Celtic, gjë që shumë kolegë të tij nuk e arrijnë dot.

SHUNSUKE NAKAMURA

Duke folur për legjendat e Celtic, nuk ka si injorohet Shunsuke Nakamura. Ky emër të sjell direkt në mendje goditjen e tij ikonike kundër Manchester United në Champions League.

Shumëkush mund të mos e dijë se ai luan akoma, tashmë me Yokohama FC. Natyrisht, është në perëndim të karrierës.

MAXI RODRIGUEZ

Anësori ka kaluar tri periudha të ndryshme në klubin e djalërisë, Newell’s Old Boys, megjithëse fitoi më shumë vëmendje tek Espanyol, Atletico Madrid dhe më pas, Liverpool.

39-vjeçari është ende duke bërë një punë të mirë në Argjentinë, me klubin e vendlindjes, duke dhënë kontribut jo modest.

ARITZ ADURIZ

Aduriz me të vërtetë po luan në dekadën e katërt dhe e priti sezonin e tij të 21-të me një fillim të jashtëzakonshëm, kur shënoi golin e vetëm të ndeshjes hapëse të këtij kampionati (La Liga).

Ishte mahnitëse goditja me “gërshërë” e tij ndaj Barcelonës, në fitoren 1-0. Mjaft kaq për të thënë se ai ende është i vlefshëm për Bilbao-n.

ARON WILBRAHAM

Sulmuesi anglez, që po shkon drejt të 41-tave, ka luajtur me shumë skuadra në vendin e tij. Aktualisht vesh fanellën e Rochdale.

Ai dëshmoi në “FA Cup”, të shtunën, se ende ka një vend për veteranët në futbollin e sotëm elitar. Ndoshta shumë në Evropë nuk e njohin, por atij pak i intereson.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historia e basketbollistit 42-vjeçar

Rekordi, luajti kundër yjeve të NBA për 4 dekada