MENU
klinika

Kontrolle në aeroportin Nënë Tereza?

A jemi të mbrojtur ne shqiptarët nga virusi vdekjeprurës i Kinës?

23.01.2020 - 16:48

Kina po përballet me një prej viruseve më të frikshëm në 17 vitet e fundit që nga epidemia SARS në 2003-shin.

Pekini po anulon ngjarje të mëdha publike, përfshirë panairin për Vitin e ri Hënor të Kinës, për shkak të Koronavirusit.

Virusi i ri ka vrarë mbi 20 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 600 të tjerë në Kinë. Televizioni shtetëror kinez të enjten pasdite raportoi tre raste të reja të konfirmuara në provincën veriperëndimore Shaanxi.

Aeroportet e shteteve europiane dhe ato në SHBA, të cilat kanë linja direkte fluturimi me Kinën, kanë filluar kontrollin e pasagjerëve kinezë të cilët vijnë nga provincat e prekura nga Koronavirusi.

Por çfarë po bëjmë ne shqiptarët përballë kësaj situate dhe a rrezikohemi?

Në aeroportin Nënë Tereza ende nuk kanë nisur kontrollet. “Top Channel” raporton se shtetasit kinezë vijnë kryesisht me dy linja fluturimi nëpërmjet një tranziti në Turqi.

Megjithëse në vendin tonë, vijnë shumë shtetas kinezë, për të punuar dhe turizëm, ky aeroport ende nuk ka filluar kontrollet për Koronavirusin.

Kontrollet bëhen për ata persona që shfaqin simptoma të tilla si temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.