MENU
klinika

Mentor Nazarko

Andreoti: Po, Kuça ishte shqiptar

03.01.2020 - 19:47

Nënë Tereza, kartvizita më e mirë e Shqipërisë, por dhe Enrico Cuccia, financieri i madh italian me origjinë shqiptare për të cilën ishte krenar.

Nga Mentor Nazarko

Të intervistosh njërin nga figurat historike të politikës italiane dhe asaj europiane të luftës së ftohtë, si Giulio Andreotti është gjithnjë një privilegj. Privilegj për shkak të mundësisë për një bisedë të pasur në ide me një figurë të rrallë, njërin nga udhëheqësit e mëdhenj të shekullit të kaluar; privilegj që i shtohet vlera ndërsa shkon ndër mendje se mosha e tij e shkuar- 86 vjeçare ja kufizon gjithnjë e më shumë shancet e një politike aktive dhe jete publike të plotë.

Kjo intervistë është realizuar në vitin 2006, dhe 7 vjet më vonë ai ndërroi jetë. Por intervista ka vlera të jashtëzakonshme për mesazhet aktuale.

Andreotti për Cuccia-n: Po, ai ndihej shqiptar
Ekziston edhe një moment tjetër që lidh dy vendet tona. Prania e italo-shqiptarëve. Do t’i referohem një emri konkret, sepse ekziston një listë e famshme emrash, ku përfshihen Krispi, etj.

Bëhet fjalë për Enrico Cuccia-n, financierin e madh. Në një intervistë që ju keni dhënë për një televizion shqiptar keni thënë se Cuccia ishte me origjinë shqiptare.

Po, sepse ai vinte nga një prej atyre qendrave, në rastin e tij konkret nga Sicilia, por edhe në Kalabri ka shumë të tilla, me një prani të konsiderueshme të traditës shqiptare. Në Sicili akoma edhe sot gjendet një dioqezë që quhet “Rrafshina e Shqiptarëve”, Piana degli Albanesi.

Cuccia njihej si milanez, pasi kishte jetuar gjithë jetën e tij në Milano, por origjina e tij ishte shqiptare.

Si jeni njohur me origjinën e tij. Ua ka thënë vetë ai?

Edhe pse në shumë aspekte ishte laik, traditën e tij kristiano-shqiptare ai jo vetëm që nuk e mënjanonte, por përkundrazi fliste shpesh për të, madje me një ndjenjë të madhe respekti.

Mund të na kujtoni ndonjë episod të marrëdhënieve tuaja me Cuccia-n?

Unë nuk kam pasur shumë raporte personale më Cuccia-n. Ai ishte një njeri me autoritet shumë të madh në fushën financiare, sidomos kishte një karakteristikë të tijën, që ishte dimensioni i tij ndërkombëtar, marrëdhëniet me financën ndërkombëtare, me financën franceze në veçanti, por edhe me Londrën, etj. Mund të them se ishte një njeri mjaft i përparuar, aspak autarkik. Madje mund të them se ishte prepotent në një masë të drejtë, ose prepotent i shëndetshëm sepse disa ligje i mbështeste, të tjerat jo. Linte të nënkuptohej pushteti i tij.

Ai meritonte një respekt absolut. Kujtoj një moment, kur në mënyrë të çuditshme, presidenti i IRI-t e nxori në pension, sepse rregulli ishte deri në 70 vjeç, ndërsa ai ishte 72 dhe nuk dihej përse kishte qëndruar aty deri në atë moment. Erdhi të më takonte në studion time, një mëngjes, sepse kërkonte të dinte mendimin tim lidhur me këtë çështje. Unë i thashë: “Shiko, nuk më duket e drejtë, sepse në se duhej të zbatonte rregulloren, këtë duhej ta kishte bërë dy vjet më parë. Megjithatë ju do të vazhdoni të mbeteni president”.

Madje me të qeshur i thashë se edhe nëse do të vazhdonte punë si pastrues atje, përsëri do të vazhdonte të ishte personi më i rëndësishëm i MedioBanca sepse sigurisht autoritetin e tij nuk ia jepte asnjë post drejtues.
Dhe në të vërtetë, ai mbeti një njeri i rëndësishëm deri në fund, një njeri pa asnjë lloj interesi personal, shumë korrekt. Nëse do të kishte dashur të pasurohej, mund ta kishte bërë fare mirë këtë gjë, edhe në mënyra të ligjshme, por ai kurrë nuk e bëri një gjë të tillë.

Interesohem për figurën e tij, sepse duke qenë se Shqipëria nuk gëzon le të themi një imazh të shkëlqyer në shkallën ndërkombëtare, është në kërkim të simboleve të historisë moderne për t’ia bashkëngjitur imazhit të saj. Edhe pse duket një përpjekje e sforcuar për ta lidhur figurën e Cuccia-s me Shqipërinë e sotme. Por ekziston një qendër që mban emrin e tij, ndaj do të doja të kisha një dëshmi autoritare si kjo e juaja për figurën e tij.

E them me bindje se Cuccia ka qenë një nga personalitetet më autoritare, si nga pikëpamja intelektuale ashtu edhe ajo globale, e Italisë së pasluftës. Gjithnjë i çinteresuar ndaj politikës, dhe vogëlsirat pa vlerë.

Nuk e di se për kë votonte, pasi askush prej nesh nuk e ka pyetur për këtë. Eh, ishte një figurë e rëndësishme për Italinë, madje pa dyshim një nga themeluesit e zhvillimit të saj.

Romë, 14 shtator 2006