MENU
klinika

Kërkon të dhëna për një grup kriminal

Atentati ndaj prokurorit Ndoji, SPAK nis hetimet jashtë shtetit

16.01.2020 - 17:20

Hetimet komplekse për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ndryshe SPAK, i ka dhënë rrugë letër-porosisë në adresë të një prej vendeve të Bashkimit Europian.

Zyrtarë të prokurorisë konfirmojnë se është kërkuar informacion për disa persona me rekorde kriminale, që dyshohet të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit, nëntorin e 2019-ës.

Burimet janë të rezervuara për të dhënë detaje lidhur me identitetin e personave, për të cilët kërkohen të dhëna, por News 24 ka mësuar se bëhet fjalë për disa eksponentë të botës së krimit, të njohur edhe nga autoritetet shqiptare, si pjesë e një grupi që operon në Durrës e Fushë Krujë.

kolana e librave

Akuza është tashmë në pritje të ekzekutimit të letër-porosisë dhe ky fakt u bë i ditur në seancën gjyqësore, që u zhvillua këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, ku i dyshuari kryesor, Redjan Rraja, u informua sipas ligjit për të gjitha veprimet e deritanishme të kryera nga prokuroria.

Rraja është i dyshuari i vetëm i arrestuar për atentatin e ndodhur nëntorin e vitit të kaluar, ku nga breshëritë e plumbave, që u derdhën mbi automjetin e prokurorit, mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoj, miku i tij, Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”, si dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital.

34-vjecari nga Fushë Kruja i ka mohuar akuzat, por prokuroria këmbëngul se ka prova të forta shkencore që e implikojnë atë në ngjarje. Dyshimet janë se krimi ka lidhje me përplasjet e grupeve kriminale për çështjen e pronave në bregdet. Deri më tani, prokuroria nuk ka mundur të sqarojë se kush ishte objektiv i atentatit, prokurori Ndoj apo miku i tij, Rrumi, ky i fundit një eksponent i njohur në botën e krimit.