Transferimi i Rey Manajt te Barcelona B dukej një çështje që do të mbyllej që në ditët e para të merkatos, në mënyrë që sulmuesi shqiptar të kalonte në radhët e skuadrës katalanase dhe të fillonte stërvitjen atje.
Por për çudinë e të gjithëve, ai u aktivizua me Albaceten në fundjavë, madje duke shënuar edhe një gol, ndërsa për zyrtarizimin e marrëveshjes mes klubeve duket se do të duhet ende kohë.
Sipas “Mundo Deportivo”, shkak i vonesës është bërë mungesa e unanimitetit në stafin teknik të katalanasve për blerjen e lojtarit.
Në klub e shohin si një element interesant sulmuesin shqiptar, por jo të gjithë janë të bindur për aftësitë e tij dhe atë që mund t’i japë ekipit, edhe pse bëhet fjalë për Barcelonën B.
Vetë trajneri Garcia Pimienta vlerësoi futbollistin në konferencën e fundit për shtyp, por nuk e cilësoi një fakt të kryer blerjen e tij: “Ai ka profilin e duhur. Por nuk do ta bëjmë këtë blerje si të kryer, merkato ka vetëm pak ditë që është hapur”.
Mediat spanjolle sqarojnë se shqetësimi kryesor i klubit është se Manaj nuk ka shënuar me ritmet e kërkuara gjatë këtyre viteve, edhe pse gjendet që në moshë shumë të re mes profesionistëve.
Bilanci me 16 gola në 113 ndeshje, që nga sezoni 2014-2015, nuk ka bindur plotësisht në klubin katalanas, duke lënë në vendnumëro marrëveshjen për transferimin e sulmuesit të Shqipërisë.