MENU
klinika

“Fake News”

Janë 10 lajmet e rreme të 2019-ës, që bënë xhiron e botës!

01.01.2020 - 11:51

Prej kur shprehja “lajme të rreme” është përdorur në përditshmëri në vitin 2016, ne kemi qenë dëshmitarë të një universi me informacion jo të besueshëm dhe me metoda për shpërndarjen e tij.

Më 2019, shikuesit janë përballur me video të manipulueshme, që janë prezantuar si të vërteta apo me blogje të shkruara nga persona anonimë. Dhe këtu nuk po përmendim disa raste të informacioneve mashtruese të shpërndara nga mediat, politikanët dhe të tjerët.

Më poshtë gjeni 10 rrëfime të dezinformimit që kanë rrjedhur në mënyrë të shfrenuar nëpër botë.

 

Teoria e “ndërhyrjes së Ukrainës”

Kjo teori e pabazë është prezantuar nga Shtëpia e Bardhë. Më 2019 presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur vazhdimisht se Ukraina është përfshirë në sulme kibernetike me qëllim të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara përmes një serveri politik që i takon Partisë Demokratike.

“Serveri ata thonë se Ukraiana e ka”, pati thënë Trump në një bisedë të zhvilluar në muajin korrik me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, bazuar në një transkprit. Në një bisedë të zhvilluar më 22 nëntor nga transmetuesi Fox, Trump ka thënë: A e dini se Byroja Federale e Hetimeve (FBI), kurrë nuk e ka pasur atë server… Pse ia kanë dhënë një kompanie ukrainase? Pse?
Trump i është referuar CrowdStrike, kompanisë për siguri kibernetike që ka analizuar serverët që janë prekur në sulmet e vitit 2016.

Kjo kompani ka bazën në Kalifoni dhe jo Ukrainë dhe është në pronësi të një shtetasi amerikan të naturalizuar që ka emigruar nga Rusia si fëmijë. (CrowdStrike po ashtu ka ardhur në përfundim se sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve kanë ardhur nga Rusia dhe jo Ukraina).

Pra pse Trump dhe personat e rrethit të tij janë fokusuar në ndërhyrjen ukrainase? Një numër i zyrtarëve të inteligjencës thonë se versionin e Shtëpisë së Bardhë fillimisht e ka përmendur Moska.

“Ky është rrëfim imagjinar që është krijuar nga vetë shërbimet e sigurisë ruse”, ka thënë Fiona Hill, ish-zyrtare në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe specialiste për Rusinë para Kongresit që ka zhvilluar hetime për shkarkim të Trumpit.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane të intervistuar nga e përditshmja The New York Times kanë përkrahur dëshminë e Hillit.

Gazeta ka cituar ata të kenë thënë se “Rusia është përfshirë në fushatë afatgjatë për të fajësuar Ukrainën për sulmet që ka kryer Moska në zgjedhjet e vitit 2016”.

 

Thashethemet për “riedukim” në Ukrainë
Një television rus nuk ka përjashtuar mundësinë e përkrahjes shtetërore për krime kundër njerëzimit nëse Kievi fiton kontrollin e territoreve që tani zotërohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Prezantuesja e televizionit shtetëror rus, Rossiya-1, Olga Skabeyeva ka paralajmëruar shikuesit për një plan sekret të spastrimit etnik në këtë zonë nga Qeveria ukrainase.

“Thënë shkurt, menjëherë pasi Kievi të fitojë kontrollin e kufirit (me Rusinë), banorët e Donbasit do të dëbohen për ukrainizim të plotë”, ka thënë ajo.

“Është shume e thjeshtë: Nëse flisni gjuhën ukrainase, qëndroni. Nëse jo, atëherë përgatitni valixhet dhe shkoni në Rusi në variantin më të mirë. Në variantin më të keq, do të deportoheni me dhunë në Lviv për riedukim nga patriotët”, apo ultranacionalistët ukrainas.

Current Time, rrjeti televiziv rus i krijuar nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës, dhe faqja ukrainase e verifikimit të fakteve, StopFake.org, ka renditur disa faqe në internet, që kanë përmendur planet e supozuara për riedukim apo zhvendosje të dhunshme të rusëve nga Donbasi. (Shumica prej tyre janë media pro-separatiste).

Sekretari i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Oleksiy Danilov, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dokumenti i cituar nga Rossiya-1 dhe të tjerët thjesht nuk ekziston.

“Rusia vazhdon të prodhojë lajme të rreme. Ato iu duhen në mënyrë që të bëjnë pretendime të tilla. Është e vështirë të mendohet diçka më absurde”.

 

Blogu mashtrues i ushtrisë amerikane

Një komandant i ushtrisë amerikane ka kritikuar ushtarët ukrainas gjatë trajnimeve të ofruara nga Shtetet e Bashkuara duke i konsideruar me “intelekt të ulët”. Zyrtari ka shkruar se ata kanë qenë të paedukatë, lakmitar dhe të korruptuar. Ata kanë refuzuar të mësojnë gjuhën angleze dhe kanë qenë të dehur shumicën e kohës.

Në fakt ky lajm, që ka pasur cak ushtarët ukrainas është publikuar nga një faqe e paidentifikuar. Ajo është thënë se është një blog i kolonelit, Robert Tracy, komandant i Grupit të Përbashkët Trajnues, me bazë në Yavirov të Ukrainës.

Ky tekst ka qarkulluar në mediat ukrainase dhe ato ruse para se të dënohej nga njësia ushtarake, e cila ka thënë se blogu është shkruar nga një mashtrues.

Blogu në të cilin janë parë disa postime, përveç atij me kritika, është fshirë shumë shpejt nga internet.

Një përfaqësues i ushtrisë ukrainase, Bogdan Senik, e ka quajtur blogun e rremë si “provokim”. Ndërkohë Instituti kërkimor, Jamestown Foundation me bazë në Uashington ka shkruar: Përmbajtja dhe koha e këtij operacioni dezinformues tregon qëllimin e tij kryesor: të dëmtojë marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Ukrainës para negociatave të vazhdueshme për sigurinë”.

 

Uragani Lajmet e Rreme përfshin aktivisten për klimën
Më 2019, aktivistja suedeze 16-vjeçare, Greta Thunberg ka krijuar një epokë të re në lëvizjen për ambient. Ajo ka folur para Kombeve të Bashkuara dhe është shpallur Personi i Vitit nga Revista Time. Në të njëjtën kohë, ajo ka qenë subjekt i sulmeve të urrejtjes online, duke shpërndarë prentendime të rreme.

Sipas një teorie, Thunberg është një karakter imagjinar, pas së cilës qëndron një “aktore që po përjeton krizë” me emër, Estella Renee. (Faqja e verifikimit të fakteve Snopes, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë). Shumë të tjerë e kanë quajtur aktivisten kukull të kompanisë për marrëdhënie me publikun të Qeverisë suedeze. Nëpër fotografi ajo është parë kinse ka qenë bashkë me një militant të grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe më pas me miliarderin, George Soros. Në një tjetër fotografi që ka qarkulluar gjithandej, Thunberg shihet duke kërkuar ar më 1989, dhe se ajo mund të udhëtojë nëpër kohë.

Sulmet online ndaj aktivistes janë shpërndarë tejet shumë andaj ka qenë e vështirë të identifikohet burimi, ndonëse të paktën një organizatë joqeveritare ka tentuar të rendisë lobistët që kanë pasur qëllim diskreditimin e saj. Vetë Thunberg ka shkruar në faqen e saj në rrjetin social, Facebook: Çdo ditë publikohet të paktën një teori konspirative.

 

Pretendimet mashtruese për lidhjen mes kancerit dhe bombardimeve të NATO-s
Rusia dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për të bashkëpunuar rreth disa punimeve kërkimore për kancerin dhe trajtimin e tij në muajit qershor, një veprim i padiskutueshëm për të dy aleatët. Mirëpo disa gazeta në Serbi kanë publikuar lajmet se këto dy shtete janë duke hulumtuar edhe rreth efekteve shëndetësore të fushatës së bombardimit nga NATO-ja më 1999, në ish-Jugosllavi. Thashethemet janë nxitur nga ambasadori rus në Serbi.

Aleksandr Botsan-Kharchenko. “Rusia është po ashtu e gatshme të hetojë pasojat e bombave të NATO-s, të cilat janë të qarta te pacientët me kancer”, është cituar të ketë thënë ai, sipas së përditshmes serbe, Blic.

Disa politikanë dhe aktivistë serbë janë duke shtyrë përpara një studim të mirëfilltë për efeket afatgjata të bombardimit, sidomos përdorimit të municionit që përmban uranium të varfëruar. Deri më tani askush nuk ka bërë studime të tilla. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka siguruar një kopje të marrëveshjes së nënshkruar mes Rusisë dhe Serbisë, mirëpo në të nuk përmendet fushata ushtarake e NATO-s më 1999 apo ndonjë studim tjetër që lidhet me pasoja shëndetësore.

 

Rasti i udhëheqëses së paqartë
Një video e udhëheqëses së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte shpërndarë gjithandej në internet në muajin maj, dhe në të liderja demokrate nuk dëgjohej qartë se çfarë fliste. A ishte ajo e dehur? E sëmurë?

Në fakt, asnjëra nga këto.

Videoja originale është ngadalësuar, zëri i është manipuluar, duke e shfaqur Pelosin me lëvizje dhe zë ndryshe.

Miliona persona kanë parë dhe shpërndarë këtë version të videos, e cila fillimisht është publikuar nga një faqe në Facebook e titulluar, Politics WatchDog. Komentuesit e kanë quajtur Pelosin “të dehur”.

Mediat kanë treguar burimin dhe çfarë tregon prapa saj, mirëpo Facebook ka refuzuar që të largojë versionin original duke argumentuar se “ne nuk kemi politika të atilla që përcaktojnë se postimi që ju bëni në Facebook duhet të jetë patjetër i vërtetë”. (Në prag të fundvitit ky rrjet social ka prezantuar një politikë të re të raportimit të postimeve të dyshimta duke i klasifikuar si “informacione të rreme, të kontrolluara nga analizues të pavarur të fakteve).

Megjithatë kjo video ka nxitur krahasime me kategori tjetër të teknologjisë: videot tejet të rreme, në të cilat inteligjenca artificiale fabrikon pamjet reale të pothuajse secilit dhe çdo gjëje. Mirëpo videoja e Pelosit ka vërtetuar se pajisjet e sofistikuara nuk janë domosdo të nevojshme që pamjet e manipuluara të shpërndahen gjithandej.

 

Fotografia e “krimeve të luftës” del të jetë pornografi
Në muajin maj, para votimit në Parlamentin e Kosovës për krimet serbe të kryera gjatë luftës, ligjvënësja, Flora Brovina ka shfaqur para gazetarëve një fotografi, për të cilën ka pretenduar se tregon ushtarët serbë duke dhunuar një grua shqiptare. Mirëpo pas kërkimeve në internet, fotografia doli të jetë pamje e një filmi pornografik, që është xhiruar në Irak. Ky incident ka zemëruar shumë kosovarë. Disa janë frikësuar se ky incident do të shfrytëzohet për të diskrediuar akuzueset e vërteta të dhunës seksuale gjatë luftës të periudhës 1998-1999. Zyrtarët dhe organizatat joqeveritare thonë se në Kosovë janë 20,000 gra dhe burra që janë viktima të dhunës seksuale, të kryera nga forcat serbe gjatë konfliktit.

Teksa prokurorët specialë kanë nisur hetimet për këto pretendime, ligjvënësja, Flora Brovina ka thënë se një aktiviste i ka dhënë asaj këtë fotografi dhe i ka thënë se viktima e dyshuar është gjallë dhe jeton në Kosovë. Mirëpo Brovina më pas po ashtu ka kërkuar falje publikusht ndaj viktimave të dhunës seksuale dhe familjeve të tyre, duke thënë se pranon fajin për mosverifikim të vërtetësisë së fotografisë.​

 

Robotët universalë të Putinit
Presidenti rus, Vladimir Putin ka vëzhguar “robotët ushtarakë rusë” të dizajnuar nga kadetët në një shkollë elite ushtarake, është thënë në një raport të agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti.

Në një video, presidenti është parë duke pëlqyer “zbulimin” e një kadeti.

Mirëpo siç ka raportuar faqja e pavarur e lajmeve, Znak, robotët as nuk kanë qenë rusë dhe as nuk janë zbuluar nga nxënësit. Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë identifikuar modelet e prezantuara si prodhim i Koresë, dhe lodra që mund të blehen në Amazon, me të cilat mund të manipulojë secili.

Faqja kundër-dezinformimit në Bashkimin Evropian përmend se kjo nuk është hera e parë që një rrëfim mashtrues është përkrahur nga Kremlini. Vitin e kaluar, televizioni shtetëror, Rossiya-24 ka transmetuar skenat e një pajisjeje me emrin Boris, duke e përshkruar si një prej “robotëve më të avancuar”. Boris më voni doli të jetë një person i veshur me rroba të robotit.

 

“Blerja e foshnjeve” në Bruksel
“Homoseksualët nga e gjithë botë janë mbledhur në Bruksel për të marrë pjesë në një treg: për të blerë fëmijë”, është thënë në një postim në Twitter, të rrjetit rus, NTV, që kontrollohet nga Gazpromi shtetëror. “Nëse keni para, fëmija do të jetë në shitje”.

Në raport është thënë se ekziston mundësia e blerjes së një fëmije në një konferencë të mbajtur në Bruksel në muajin shtator. Në fakt, ngjarja e përmendur ka pasur për qëllim që të lidhë çiftet homoseksuale me nënat surrogate. (Nënat surrogate zëvendësojnë nënat biologjike të foshnjës dhe ky proces është i ligjshëm në Rusi dhe disa shtete evropiane, mirëpo jo edhe blerja e fëmijëve). NTV e ka përshkruar konferencën edhe si ngjarje për elitat e pasura. Ky karakterizim është në kundërshtim me misionin e konferencës, Burrat kanë foshnje, e cila ofron mbështeje financiare dhe udhëzime për homoseksualët që dëshirojnë të bëhen prindër.

Faqja, BE vs. Dezinformatë, e ka përshkruar këtë raport si dezinformatë, me qëllim të shtrembërimit të fakteve dhe provokim të emocioneve të forta, pasi prezanton rrëfimin përtej territorit rus duke “degraduar perëndimin”.

 

“Teoria dhe praktika” e homoseksualitetit në Estoni
Në një sulm të ndarë në liritë e komunitetit LGBT ((homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), televizioni privat, Channel 5 në Shën Petersburg ka raportuar se Estonia është viktimë e “pushtimit social dhe moral” dhe se Tallin është “kryeqyteti homoseksual i Skandinavisë”. Transmetuesi ka gjetur se “shpërndarja e edukimit homoseksual në kryeqytetin e Estonisë mund të ndalet më. Është tashmë në modë në Estoni dhe përcjellë zhvillimet e fundit në Evropë”.

Në mënyrë që Estonia të portretizohej si shtet me vlera morale në zhdukje e sipër, gazetarët e Channel 5 janë kthyer në aktivistë dhe kanë hetuar një kurs për historinë e komunitetit LGBT në Universitetin Tallin. Ata kanë raportuar se universiteti u ligjëron atyre çështje rreth homoseksualëve “jo vetëm në teori por edhe në praktikë”, duke lënë detajet në imagjinatën e shikuesve.

Duke reaguar ndaj transmetuesit rus në gazetën estoneze, Postimees, instruktori i kursit ka thënë se raportit i duhet edhe një element: intervistimi i anëtarëve të komunitetit LGBT./REL