MENU
klinika

Trajneri i ri gjatë prezantimit

“Dje në fshatin tim shihja lopët, sot te Barça”

14.01.2020 - 16:37

“As në ëndrrat më të çmendura nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të stërvisje një ditë Barcelonën”. Kjo është deklarata e bërë nga trajneri i ri i Barcelonës Quique Setien, që u prezantua para mediave.

Tekniku 61-vjeçar u tregua i sinqertë se ditën e djeshme po shihte lopët që kullotnin në vendlindjen e tij në Santander, ndërsa tani e më tej do të drejtojë një nga klubet më të fuqishme në planet.

“Dje po shëtisja në vendlindjen time dhe disa lopë po kalonin pranë meje, ndërsa sot ndodhem këtu për të drejtuar Barcelonën me disa prej lojtarëve më të mirë në botë.

Është një luks i vërtetë që të jem këtu. Dua të falenderoj klubin që më dha shansin të drejtoj këtë skuadër. As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk e kam e imagjinuar këtë. Synimi është që të fitojmë gjithçka”, – u shpreh Setien.

Një nga pyetjet e shumta që iu drejtuan spanjollit ishte edhe se si e priti propozimin e Barçës, ku trajneri nuk ngurroi të përgjigjej sërish me sinqeritet:

“Përgjigjen për propozimin që m’u dha nga Barça nuk e kam vonuar më shumë se pesë minuta. Nuk kam menduar kurrë se Barcelona do të më kërkonte mua si trajner”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN