MENU
klinika

Apel qytetarëve

Era e fortë/ Ministria e Mbrojtjes: Situata është nën kontroll

05.01.2020 - 17:59

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me erën e fortë në vend dhe ka siguruar të gjithë qytetarët se situata momentale me erërat e forta është nën kontroll.

Ndërkohë, i ka bërë apel qytetarëve të shmangin pallatet, objektet apo vendet e rrezikshme pasi ka rrezik për aksidente.

Sipas informacioneve paraprake të AKMC nuk ka probleme.

REAGIMI I MINISTRISË SË MBROJTJES

Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nisur nga situata e pazakontë e erës së fortë gjatë orëve të fundit në disa qarqe të vendit, i bën thirrje qytetarëve, të shmangin qëndrimet në afersi të pallateve, godinave të larta, pemëve dhe objekteve të rrezikshme. Rënia e sendeve dhe objekteve të ndryshme për shkak të erës përherë e më të fortë, mund të bëhen shkak për aksidente.

Ndërkohë, Ministrja Xhacka përmes AKMC është në komunikim të vazhdueshëm me shtabet e emergjencave në të gjitha prefekturat, për të ndjekur orë pas orë situatën e vështirë të motit të shkaktuar nga erërat dhe bora në disa qarqe. Sipas informacioneve paraprake të deritanishme situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme.

Moti i keq solli pezullimin e të gjitha lundrimeve nga Porti i Vlorës dhe i Durrësit.

Disa qarqe të vendit janë mbuluar nga reshjet e dëborës në Tropojë, Dibër, Kuksës, Korçë dhe zonat rrreth saj, si Boboshtica, Dardha, Voskopoja, Gorica, etj. Kompanitë e mirëmbajtjes në terren me mjete e punëtorë kanë bërë që deri më tani të mos ketë probleme në qarkullim.

Sipas Meteoalb, stuhia e erës është me shpejtësi mbi 80 km\h. Në zonat bregdetare dallgëzimi i detit është në 7-8 ballë ne det. Sakaq, reshjet e dëborës që nisën mbrëmjen e djeshme do të vazhdojnë të bien në të gjithë zonën malore.