MENU
klinika

Kontrolle në çdo rrugë

Hiqen 176 patenta nga radari, 33 drejtues mjetesh në pranga

05.01.2020 - 14:55

Policia rrugore ka tërhequr 176 patenta gjatë 24 orëve të fundit nga kontrolli me radar në rrugët e vendit. Blutë kanë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh për drejtim në gjendje të dehur dhe 20 për drejtim pa patentë.

Sipas policisë janë gjobitur dhe 24 shoferë nga vendet e BE-së të cilët kanë paguar dyfishin e masës administrative.Gjatë 24 orëve të fundit, policia rrugore gjatë monitorimit në rrugët e vendit me radarin Trucam ka pezulluar 176 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara.

51 prej patentave janë tërhequr nga njësia Operacionale e Policisë Rrugore në Tiranë, 47 në Durrës, 49 në Lushnjë-Fier, 15 në Lezhë dhe 14 në Elbasan.

Në të njëjtën kohë në rang vendi janë vendosur 235 masa administrative për mos-rregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara dhe shpejtësi jo më shumë se 20 km/h mbi normat e lejuara.

Më tej si shkak i kontrolleve me aparatin alkooltestues drager, në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 9 prej të cilëve në Tiranë, si dhe janë pezulluar 41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Po gjatë kontrolleve janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 20 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, nga të cilët 16 në Tiranë.

Nga kontrollet e rrugores janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në të gjithë vendin, 234 drejtues mjetesh, nga të cilët 165 në Tiranë.

Gjithashtu janë evidentuar dhe ndëshkuar 456 drejtues mjetesh, të cilët janë konstatuar duke drejtuar mjetin pa vendosur rripin e sigurimit.

Ndër të tjera sipas policisë 24 drejtues mjetesh, nga vende të ndryshme të BE-së, janë konstatuar me shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e të cilëve, duke përfituar nga lehtësirat e parashikuara në Kodin Rrugor, kanë dhënë pëlqimin për të paguar dyfishin e maksimumit të gjobës për shkeljen e konstatuar dhe iu është rikthyer përsëri leja e drejtimit.

Policia ndër të tjera apelon drejtuesit e mjeteve për respektimin e normave të lejuara të shpejtësisë pasi kontrollet do jenë të pranishme në çdo rrugë të vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Punime në Autostradën Tiranë-Durrës

ARRSH: Ja si do bëhet lëvizja