MENU
klinika

Ikën "Historia e Shqipërisë"

“Historia e shqiptarëve” sjell fakte të pathëna

26.01.2020 - 18:05

      Akademiku Meta, redaktori përgjegjës për rishikimin e historisë së Shqipërisë, ka rrëfyer ndryshimin e tezave dhe fakteve në vëllimin III, ky në proces botimi, si edhe vëllimit IV. Meta: Përfshihet historia e Çamërisë; rishikohet figura e Esat Pashës – mbrojti Shkodrën nga malazezët, përfshirë këtu edhe Zogu me të tjera personalitete./Konica.al

Projekti i shkrimit të historisë zyrtare të Shqipërisë i është nënshtruar procesit të një rishikimi rrënjësor, deklaron Beqir Meta, autor dhe redaktor përgjegjës, për mediet.

Ndërsa flet për procesin e punës në hartimin e dy vëllimeve, vëllimit tre dhe katër, që do të plotësojnë korpusin e plotë të botimit akademik të Historisë Shqipërisë, Beqir Meta në emër të institucionit të Akademisë së Studimeve Albanologjike bën transparente punën e përfunduar nga 40 autorë pjesëmarrës në këtë projekt.

Ballafaqimi ndaj historiografisë komuniste, ka qenë në themel të punës, sipas deklaratës së Beqir Metës, që do të vijë në dy vëllimet e reja me përmbysje të tezave, ku në fokus të tyre është edhe rishikimi i figurave protagoniste të historisë si Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Mehdi Frashëri, Fan Noli, e personalitete të tjera të Pavarësisë apo të luftës së Dytë Botërore. Ndërsa dy vëllimet janë bërë gati për botim, në to është shkruar e bardhë mbi të zezë përgjigja finale, e atyre debateve që u ndezën gjatë vitit 2008, nga Parlamenti, në mediat zyrtare dhe ato të shkruara për çështjet e rishikimit të ngjarjeve më të mëdha të Historisë së Shqipërisë. Çfarë do të ndryshojë, cilat janë burimet që përmbysin tezat në variantin katërvllimësh të Historisë së Shqipërisë. Si u përfshinë në librin e madh, historia e munguar e Çamërisë dhe çfarë thonë burimet greke për njohjen e saj. Për këto, e shumë tema të tjera, le të ndjekim intervistën me akademikun dhe historianin e njohur Beqir Meta, sipas shqiptarja.com

Intervista e plotë:

Ku ka mbërritur puna për bërjen e kapitujve të rishkuar të historisë?

-Është një projekt sigurisht më i madhi që ka Instituti i Historisë, i cili po shkon drejt kurorëzimit me sukses të tij. Është një projekt që do të ketë katër vëllime shkencore, është një vepër analitiko-sintetike për të gjithë Historinë e Shqiptarëve në shekullin e 20-të, pra jo Historinë e Shqipërisë, por Historinë e Shqiptarëve, që nënkupton përfshirjen e të gjitha trojeve shqiptare, por edhe të diasporave shqiptare. Dhe ky është edicioni i dytë që bëhet i Historisë së Shqiptarëve në Periudhën postkomuniste. Është një botim i mëparshëm i viteve që ka qenë I 2007-2008-s, janë dy vëllime që janë shkruar, dhe në jemi në prag të vëllimit të tretë që për një muaj, apo për në muaj e gjysmë maksimumi, do të dërgohet në shtyp. Dhe pastaj mbetet për këtë vit të kryejmë vëllimin e katër që është edhe vëllimi i fundit i këtij projekti.

Në vizionin akademik, çfarë kapitujsh kanë munguar në këtë histori. Cilat kanë qenë temat e munguara apo ngjarjet e munguara, që zakonisht nuk kanë qenë trajtuar në rrafshin akademik, në shkolla, në universitete?

-Vetë fakti që është një botim shumë më i madh sesa botimi i mëparshëm, përmbledh edhe shumë më tepër informacion, shumë më tepër tematika të historisë sonë kombëtare, tema të plota. Ka p.sh disa tema që lidhen që nga viti 1912 deri në vitin 1939 që po përgatite si Shqipëria gjatë luftës së parë Botërore, Beteja për mbrojtjen e Shkodrës, beteja për mbrojtjen e Janinës, që kanë qenë kaluar thjesht me një paragraf apo disa rreshta, tani janë trajtuar në mënyrë më të plotë, duke shfrytëzuar dokumentet më të reja, botimet më të reja shkencore. Është trajtuar qëndrimi i delegacioneve shqiptare ne Konferencën e Paqes, të Versajës në vitet 1919-1920. Pastaj kemi tematika të ndryshme që lidhen me qëndrimin e Esat Pashë Toptanit, ndaj qeverisë së Vlorës, qeverisë së Princ Vidit, edhe probleme të tjera të Historisë së Shqipërisë, ose qëndrimi i tij në mbrojtje të Shkodrës. Ka një analizë krejt të re të Kryengritjes së Qershorit. Ajo që është quajtur Revolucioni i qershorit është dhënë me argumente shkencore, çfarë ishte kjo, është argumentuar më shumë pse nuk ishte një revolucion, por që ishte më shumë një kryengritje e gërshetuar më shumë me tentativë për një grusht shteti.

Bëhemi kuriozë për Betejën e Shkodrës, çfarë kompleksiteti fshihet që nuk është trajtuar në historiografinë shqiptare?

-Në botimet e mëparshme, kjo nuk është trajtuar e plotë. Me sa duket autorët e kanë quajtur të panevojshme të futen në thellësinë e kësaj ngjarjeje, e cila fsheh në vetvete shumë kontradiksione, për shembull qëndrimi i Esat Pashës në mbrojtje të Shkodrës, ka qenë një temë jo e trajtuar në thellësinë e duhur dhe ne dimensionin objektiv të saj. Këtu janë paraqitur në mënyrë objektive, dhe janë paraqitur të gjitha hamendësimet për vrasjen e Hasan Riza Pashës, që ka qenë komandanti osman i forcave ushtarake në mbrojtje të Shkodrës. Është paraqitur në mënyrën më të plotë qëndrimi i malësorëve katolikë të Shkodrës në fillim të betejës, të cilët u gënjyen nga Mali i Zi në fillim dhe pastaj sesi ndryshuan qëndrimin e tyre… Dhe në gjykimin tonë sigurisht dhe të autorëve, beteja e Shkodrës ka qenë një nga betejat më të mëdha që kanë bërë shqiptarët për të ndaluar invazionin malazez dhe serb ndaj Shqipërisë, për të ruajtur territorin shqiptar, e cila nuk është trajtuar në dimensionin që i takon në raport me vlerën që ka për historiografinë shqiptare. Është një betejë që ka kushtuar mijëra jetë shqiptarësh, por që shqiptarët dhe osmanët kanë luftuar së bashku në mbrojtje të Shkodrës. Dhe janë dhënë të gjitha argumentet politike, historike, ushtarake të mbrojtjes së Shkodrës.

Ngaqë Esat Pasha ka qenë një figurë e stigmatizuar, nuk besohet në opinionin publik, që ai është përpjekur për të mbrojtur Shkodrën, na e tregoni qëndrimin e tij…

-Ai ka qenë komandanti i ushtrisë osmane që mbronte Shkodrën. Ka komanduar ushtarët osmanë, rezervistë shqiptarë, që ishte një ushtri e përbashkët, dhe ky ishte një fakt historik i padiskutueshëm. Rënia e Shkodrës nga Esat Pasha, sigurisht që ka bërë një marrëveshje me Malazezët është bërë pasi Shkodra ishte caktuar nga fuqitë e mëdha që i takonte shtetit shqiptar. Atëherë për arsye të mungesave të mëdha për ushqime, municione, etj, sigurisht që Esat Pasha ka bërë edhe një marrëveshje me malazezët dhe janë trajtuar në mënyrë korrekte të gjitha ngjarjet sesi ka ndodhur, pra i është dhënë ai vend që meriton.

Cilat nga këto tema që keni trajtuar ju, është si një zbulim edhe për ju si historianë?

-Unë s’mund ta them tani këtë sepse ai teksti ka shumë e shumë të tilla, unë sapo u përmenda juve disa risi të tekstit u përmenda betejën Shkodrës, prurje të reja, zbulime të reja, por zbulimet më të rëndësishme janë ato që kanë të bëjnë me ngjarjet e viteve ‘20-‘24 që janë një trajtim krejt i ri dhe janë risi historiografike. Si trajtohet kriza pranverë verës e vitit 24, pse u zgjodh asambleja kushtetuese, pse u paralizua ajo dhe degradoi në një kryengritje të armatosur. Por është analizuar edhe qeveria e Nolit. Ka një trajtesë interesante për qëndrimin e Shqipërisë me minoritet dhe me fqinjët, që ka qenë me rol ndikues për stabilitetin e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e tij. Janë trajtuar edhe marrëdhëniet me Italinë. Konflikti më i madh që të vendosej një qeveri filo-italiane, ka qenë konflikti më i madh i kohës që përçau vendin.

Politika italiane në fund të Luftës I Botërore dhe gjatë Luftës II botërore kishte objektiv të kishte një shtet nën mandatin italian, këto objektiva dështuan me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të 9 nëntorit të 1921-shit. Kështu Italia ndërtoi një strategji tjetër që të depërtonte në mënyrë paqësore në vendin tonë për të vendosur monopol në qeverisjen e vendit.

Është një enigmë e historisë, në atë kohë që politika italiane sillej kështu, siç thatë ju, në anën tjetër, ne kishim politika të vendeve të tjera që ndeshen këtu në Shqipëri, e kishim përfaqësi të tjera të vendeve europiane që silleshin njëkohësisht në vendin tonë. Mendoni se politika e afrimit me italianët është bërë për t’u ndjerë më të sigurt?

-Austro-Hungaria dhe Italia ishin në një rivalitet të madh për të dominuar në Shqipëri, dhe shtrinë influencat e tyre në vendin tonë, dhe këto influenca shkaktuan shumë përplasje. Dhe Këto dy fuqi ishin të vetmet që mbështesnin Shqipërinë, por këto kanë tentuar që të blinin mbështetjen e klasës politike shqiptare. Nuk ia arritën, por presioni i madh në vendin tonë të vogël dhe që ishte në një presion shumë të fuqishëm ndërkombëtar, u detyruan të bashkëpunonin në njërën apo tjetrën fuqi, që ishte dhe një nga defekt i nacionalizmit shqiptar që vërehet në sendërtimin e shtetit.

Mes kërkimit shkencor dhe rishikimit të historisë, cilat kanë qenë raportet që kanë lëvizur në studimet tuaja?

-Objektivi ynë kryesor është të thellojmë kërkimin shkencor me parametrat e vet, gjë që sjell në disa raste rishikim të tezave apo të analizave historiografike. Ne në këtë projekt kemi bërë një hap përpara, kemi dhënë historinë e plotë me referencat burimore. Literatura që është përdorur, arkivat që janë përdorur, kjo është risia më e madhe e tekstit, jo si risi thjesht teknike, por si risi mitologjike dhe kjo ka bërë që të gjitha konkluzionet të jenë të verifikueshme, qoftë objektiviteti, qoftë vërtetësia. Aty angazhohen shumë autorë, shumë studiues.

Më lejoni të dal tek një pyetje me konkrete. Meqë ju pamendet referencat historike, cilat janë gënjeshtrat më të mëdha të historiografisë komuniste?

– Është mirë që të lexohet…Do të them një gjë një nga drejtimet kryesore të projektit është ballafaqimi me historiografinë komuniste. Pra, janë dhënë pikëpamjet e saj, por edhe analizat e reja shkencore, burimet e reja shkencore, që I hedhin poshtë ose i modifikojnë ato. Por jo vetëm historiografia komuniste, por edhe historiografia e periudhave të mëvonshme. Ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, janë 45 autorë që kanë marrë pjesë në këtë projekt, studiues. Kemi parë të gjithë literaturën më të re, literaturën e të gjitha tendencave dhe ne jemi futur në disa koleksione shumë të rëndësishme dokumentare vendase dhe të huaja, të cilat nuk i kemi pasur në dorë më parë, të cilat na kanë dhënë një vizion më të gjerë për të bërë analiza të reja dhe për të arritur në konkluzione të sakta të plota dhe mbi të gjitha të balancuar lidhur me tema të veçanta të Historisë së Shqipërisë.

Mësuam se ju keni sjellë historinë Çamërisë, historia që të paktën në shkolla nuk studiohej fare. Si ka ardhur nga ju historia e Çamërisë?

-Të jemi korrekt, në vitin 2007-2008 është bërë një punë e mirë për të paraqitur linjat kryesore për historisë e Çamërisë. Në këtë botim ne e kemi çuar më përpara kemi bërë kërkime të reja, fatmirësish kohët e fundit ne kemi marrë burime dhe nga autorë grekë, kemi parë burime arkivore me autorë të huaj, me autorë shqiptarë, natyrisht duke paraqitur edhe pikëpamje greke dhe duke shtuar, dhe duke argumentuar pikëpamjen tonë për ngjarjen që kanë ndodhur lidhur me çështjen çame dhe me Çamërinë.

Këndvështrimet e historiografisë greke, kanë qenë korrekte apo të politizuara?

-Gjëja për t’u përshëndetur nga historiografia greke është se më së fundi ndryshe nga politika greke, e cila thotë që nuk ekziston çështja çame, historiografia greke ka bërë një hapa përpara të rëndësishëm, nuk e kishte bërë. Tani e ka bërë. Janë disa autorë grekë të rëndësishëm që kanë shkruar për historinë e Çamërisë dhe më së fundi ata e pranojnë që ka ekzistuar një çështje shqiptare në Greqi, çështja çame. Dhe janë munduar të bëjnë historinë saj, duke u mbështetur më së shumti në burimet greke, të cilat kanë një rëndësi të madhe për ne pavarësisht sesi janë interpretuar, sepse ne nuk kemi pasur qasje në arkivat grek dhe për ne shqiptarët janë të mbyllura. ata pohojnë disa gjëra, që janë të rëndësishëm, pohojnë që Greqia ka bërë një presion të vazhdueshëm ka për dënimin e çamëve, pohojnë që shteti grek kurrë nuk e bëri pjesë të politikave të veta të integrimit këtë popullsi, por e la ose në mëshirën e fatit ose e bëri pjesë të presioneve për t’u larguar nga Greqia. Dhe këtë trajtoi në një trajektore të plotë që nga viti 1913. kështu që kanë pohime shumë të guximshëm dhe të drejta, por kanë edhe këndvështrimet e tyre, që përpiqen kur vjen puna për të zbuluara të gjitha metodat e dhunës e presionit që përdori qeveria greke, këtë nuk e tregojnë, por ne kemi zbuluara nga burimet britanike , italiane, madje konsullata italiane i kanë ndjekur me shumë, kujdes persekutimet që u ka bërë qeveria greke çamëve. Kështu që ka të dhëna shumë interesante edhe për qëndrimin e lidhjes së kombeve, që përsëri është parë në mënyrë kritike edhe ky. Janë bërë analiza të plota, si kanë vepruar këto komisione, cilat ishin ato prerogativat që i shërbyen politikës greke në pastrimin e Çamërisë.

Nuk mund të ketë histori të madhe pa personalitete, cilat janë personalitetet që përfshihen në vëllimin e tretë të historisë së Shqipërisë?

-Janë të gjithë, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Esat Toptani, secili ka meritat e të metat e veta, por që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e Shqipërisë sëë kësaj periudhe. Mbi të gjitha spikat Ahmet Zogu për periudhën 20-24, pastaj 25-39. Mehdi Frashëri, Sulejman Delvina, Pandeli Evangjeli…Unë sado të them, do të harrojë shumë prej tyre… Fan Noli, Iliaz Vrioni, Xhafer Ypi. Dhe ata dalin, kuptohet, kur analizohen ngjarjet e ndryshme historike, ku ata janë protagonistë.