MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Jozefina mallkon, Berisha e Meta heshtin, Basha heziton, Rama nënqesh

15.01.2020 - 16:18

Palët u ulën për Reformën zgjedhore. Kanë vënë një afat: 15 Marsin. Kjo, për fazën e parë të saj. Koha përputhet me ato çka u thanë nga europianët, për rifillimin e negociatave në pranverë.

Inati i Francës, duket ka rënë dhe pragmatizmi gjerman i Merkelit, ka fituar si gjithnjë. Makroni, nuk mund ta mbajë situatën në Ballkan, në tension për shumë kohë, për të realizuar idetë e tij. Nuk është e vështirë që, pavarësisht dëshirës për të luajtur Napoleonin, siç e quan atë, një pjesë e shtypit perëndimor, tani që Anglia del jashtë Evropës, loja e tij, është lojë e një “Napoleoni pa para”.

Sa më sipër dhe gjykuar që ngjarjet për pjesën e parë të Reformës, do të zhvillohen, pa ndonjë zhurmë të madhe, të bëjnë optimist se në pranverë, do të arrihet diçka në lidhje me negociatat.

Po çfarë do të arrihet në bisedime dhe çfarë shpresojnë palët, në këtë pjesë të parë?

Në të gjitha proceset zgjedhore që zhvillohen këtu, prej tridhjetë vjetësh, ajo që më ka interesuar realisht, është mënyra si numërohen votat. Nëse mënyra e tyre e numërimit, që është, pavarësisht nuancave, si ajo e para viteve ’90-të; pra, thjesht mënyrë komuniste e tani ndryshon nëpërmjet depolitizimit të komisioneve, atëherë kemi arritur një sukses të madh. Nëse në zgjedhje, arrihet të futen edhe emigrantët, që realisht, kanë mbajtur gjallë këto 30 vjet, Shqipërinë, me para, atëherë kemi arritur një sukses tjetër të rëndësishëm.

Po ka dhe një problem tjetër, që lidhet edhe me titullin e shkrimit e që do ta shtjelloj më poshtë. Zhozefina Topalli e artikuloi ngjarjen e djeshme, si një tradhti tjetër, që Basha po i bën opozitës dhe konkretisht, PD-së. Përveç asaj, nëpër studio televizive, a në shtyp kanë filluar të bëjnë hesapet e radhës, kryesisht nëpërmjet pyetjes;

Çfarë sistemi zgjedhor do të kemi? Mazhoritar a proporcional, të korrektuar, a të pakorrektuar… etj., etj.  A është kjo, gjëja që duhet të na shqetësojë realisht?

Shqipëria i ka provuar të gjitha llojet e sistemeve zgjedhore, që natyrisht, nuk kanë epërsi ndaj njëri-tjetrit, por aplikohen sipas specifikave të vendit.

Palët nuk do të arrijnë gjëra të rëndësishme, sido që ta ndërrojnë sistemin zgjedhor. Ky është mendimi im dhe do të përpiqem të shpjegoj edhe shqetësimin real që sipas meje, mundon aktorët kryesorë në këtë histori dhe bashkë me të, edhe atë të Zhozefinës…

Shkruar shpesh, nga viti 2009 e deri më 2017, Shqipëria ka zhvilluar 5 palë zgjedhje kombëtare dhe lokale. Nga të cilat, tri prej tyre, i ka vulosur përfundimet nëpërmjet komisionerëve, ku shumicën e ka pasur opozita e sotme, që gjendet jashtë patrlamentit. Ato kanë treguar rrjedhjen e papushimtë të votave drejt të majtës.

Nëse do të pranonim pa problem, që e majta ka vjedhur prej 2015-ës, kur i ka shumicën vetë në komisione, si shpjegohen humbjet në: 2009, 2011 dhe 2013? Analiza e numrave, ka treguar se këto vota që ka humbur PD, i  ka shpërndarë tek aleatët e saj, LSI dhe PDIU etj., që pas 2011-ës e kanë braktisur, duke marrë edhe këto vota të saj, për t’i çuar te PS-ja.

Kjo dramë e PD-së është shkaktuar në thelb, nga një e vërtetë historike. Në tridhjetë vjet, PD nuk ka pasur ndonjëherë, vota më shumë se PS. Kjo e imponoi si duket, Berishën, që më 2009-ën, të bëjë aleancë me LSI-në dhe me të tjerë. Ishte thënë me shaka, shartimi i dardhës me mollë. Pas 2011-ës,  LSI-ja, që kandidoi në disa qytete në emër të PD-së, në zgjedhje lokale, e braktisi aleatin e ri, duke i marrë dhe shumë vota, për t’i çuar te PS-ja.

Të njëjtën gjë, bëri dhe aleati tjetër, PDIU. Kjo e shtoi akoma më shumë, rrjedhjen e PD-së, duke thelluar humbjen në zgjedhjet e 2015-ës dhe ato të 2017-ës.

shpetim nazarko

“Pazari 2017-ës”, që Zhozefina e rimallkonte dje në shtyp, duket se ishte tentativë e Bashës, për të çuar votat e marra nga LSI-ja, në shtëpinë e vjetër. Po ky pazar, u prish po nga PD-ja, në mes të rrugës. Gjithkush i mban mend mallkimet e PD-së, në adresë të LSI-së, fill “pas pazarit” dhe ndërrimin e kursit të saj, pas dy a tri javësh, duke iu riafruar LSI-së.

Basha, nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse t’i bindej ndoshta, Berishës, që e dinte si pak të tjerë, se çdo të thoshte përballje PD-PS, drejpërdrejt. E ca më tepër, pas ngjarjeve 2009-2015.

Kjo dramë mbeti e pazgjidhur dhe e gjeti Bashën, në të njëjtën problem dhe në 2019-ën, ku ai vendosi të mos hyjë në zgjedhje. Të hynte, duhej më parë, të zgjidhte këtë problem. Po sido që të gjente zgjidhjen e drejtë, do të duhej kohë, të fitonte rezultat. Ndërkohë, loja politike edhe po të gjente strategjinë e saktë, mbante rrezikun dhe të humbjes së postit së tij. Sepse i bëheshin shumë humbje radhazi…

Si i bëhej? Të gjithë këtu bëjnë zhurmë, por asnjë nuk tregon plan. Është një situatë tipike që për një analist gjakftohtë, tregon situatën që ndodh pas shpërbërjes së sistemit komunist, që e la vendin pa klasa të ndara, pa pronë reale dhe pa elitë të klasit të  parë.

Në një plan të përgjithshëm, Shqipëria ngjan në kampin socialist të dikurshëm, me Rusinë e Jelcinit, që në darkë formonte partinë ‘Molla” dhe në mëngjes i ndërronte emrin. Dhe të tërë vraponin në partinë re, me të njëjtin kryetar…

Zhozefina ka të drejtë në planin sipërfaqësor. Po në atë analitik, pa dyshim, jo. Ky shqetësim, për fatin e partisë së saj, apo të së djathtës në përgjithësi, duhet ta brente atë, që në 2009-ën, kur ende kish fuqi në PD. Taktika nuk është strategji, po element në shërbim të strategjisë. Duke mallkuar Lulin tani, ajo nuk paraqit ndonjë zgjidhje për situatën. Në këtë histori, do të ngelen pa fjalë shumë, edhe Berisha e Meta. Këta takticienë të dorës së parë, por strategë të dorës së dytë, janë të vetëzënë mat, nga lëvizjet e tyre në taktikë.

Ndërsa Zhozefina mallkon, Berisha dhe Meta heshtin, Luli po ashtu hesht, sepse nuk sheh plan gjëkundi, Rama, rri e vështron. Çfarëdo sistemi zgjedhor të vendoset, ky i fundit, nuk ka pse të mërzitet. Pa u zgjidhur drama e krijuar nga 2009-ta dhe këtej, ai  nuk ka arsye të shqetësohet.

Nëse këtë e sheh si një lojë shahu, asnjë nuk ka pse të mërzitet, por vetëm të argëtohet. Po drama është më e thellë. Në lojë janë fatet e Shqipërisë. Dhe janë përtej negociatave.

Kjo Shqipëri, që nuk ka klasë politike reale, një opozitë të dobët, një klasë të pasurish irealë dhe një popull të drobitur, është në hall shumë më të madh se politikanët rastësorë të saj, që ikin e vijnë.

Kësaj, si i bëhet? Situata nuk zgjidhet, as me mallkimet e Zhozefinës, as me heshtjen e Metës dhe Berishës, as me hezitimin e Bashës dhe as me nënqeshjen e Ramës.

Ca më shumë, as me analizën nëpër studio, se çfarë sistemi zgjedhor të zgjedhim kësaj radhe.

Kërkon ca analiza më të mëdha, të ca njerëzve të painteresuar, që të shohin, se ajo që po vjen me negociatat, mban në kurriz fatin e një Shqipërie të re, që duhet të heqë nga kurrizi politikën dhe politikanët e vjetër.