MENU
klinika

Pesë herë kampioni i NBA

Karriera brilante e Kobe Bryant dhe mesazhet për të

26.01.2020 - 23:28

Ende duket e pabesueshme se si ikona e sportit botëror Kobe Bryant humbi jetën në një aksident fatal pas përplasjes së helikopterit me të cilin udhëtonte.

Kobe Bryant lindi në 23 gusht të 1978-ës dhe nga gjimnazi kaloi direkt në basketbollin profesionist, ku luajti për plot 20 vite me skuadrën e Los Angeles Lakers, ku fitoi 5 herë titullin kampion në NBA.

Gjatë karrierës së tij, Bryant është bërë 18 herë pjesë e skuadrës All Star, 15 herë pjesë e All-NBA Team dhe 12 herë pjesë e pjesë e All-Defensive Team, ndërsa në vitin 2008 u shpall The Most Valuated Player (MVP) në NBA.

Ai është i katërti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohëve të NBA. Kobe Bryant i dha lamtumirën sportit të tij të preferuar në verën e 2016-ës.

Lajmi i vdekjes së Kobe Bryant ka tronditur botën e sportit dhe jo vetëm. Para ndeshjes se NBA-së mes Nuggets dhe Rockets është mbajtur një minutë heshtje drithëruese për ish-yllin e Lakers.

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta, nga kolegë tek ish-kolegë, deri te shumë personazhe të famshëm. Shumë prej yjeve të basketbollit të sotëm janë rritur me posterin e tij të varur në dhomë ose duke kërkuar ta imitonin.

Paul George, lojtar i skuadrës tjetër të Los Angeles-it, Clippers, i lindur në LA, ka qenë një nga të parët që ka bërë një koment në Twitter, duke kërkuar pezullimin e ndeshjeve. “Quit playing – Të ndalemi”, ka qenë mesazhi i tij.

John Wall, ylli i Washington Wizards, nuk ka as forcën të shkruajë fjalë. Vetëm një zemër e thyer. Luka Doncic, ylli i ri i Dallas Mavericks, e ka të vështirë ta besojë: “Nuk mund të jetë e vërtetë”.

Joel Embiid, qendra e Philadelphia 76ers, kujton sesi ka filluar të luajë basketboll falë Kobe-t: “Nuk e di nga ta filloj. Kam nisur të luaj pas finaleve të 2010-ës duke parë Kobe-n. Nuk kisha parë kurrë një ndeshje para atyre finaleve. Doja të isha si Kobe, jam kaq i trishtuar. Pusho legjendë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN