Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur mbledhjen me qendrat e partisë, ku është diskutuar për situatën politike në vend. Në këtë mbledhje, kreu i partisë, Albin Kurti, ka folur edhe për marrëveshjen me LDK, për të cilën ka thënë se po bëhet gjithëçka që të arrihet.
Kurti është shprehur se takimet me partinë e Isa Mustafës për një marrëveshje i ka nisur menjëherë pas zgjedhjeve. Derisa ka shtuar se partia e tij kishte premtuar se nuk do të bëjë asnjëherë koalicion me partitë e PAN.
Njëjtë thotë se ka vepruar edhe LDK, pasi partia e Mustafës ka thënë se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti tjetër, vetëm me Vetëvendosjen.
“Në frymën e fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit ku Vetëvendosje! kishte premtuar se nuk do të ketë një koalicion me partitë e PAN-it dhe duke u bazuar në fushatën e LDK-së se ku ata kërkonin koalicion vetëm me Vetëvendosje, unë kam filluar menjëherë jetësimin e këtyre premtimeve zgjedhore.
Ne kemi filluar kontaktet, komunikimin dhe takimet me 7 tetor me LDK-në, vetëm disa orë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve preliminare, pa u vonuar dhe pa hezituar që shpresën dhe fitoren e madhe ta kthejmë sa më parë në qeverisje, por ajo që në dukej lehtë e arritshme doli të jetë e mundimshme”- ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se duhet të ketë durim për arritjen e marrëveshjes, ndërkaq thotë se bisedimet nuk janë të lehta.
“Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta. Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm”- ka thënë Kurti.
Kurti thotë se për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me LDK, atij i është dashur të ekspozohet dy herë në mënyrë të rrezikshme. E këtu ai përmend 26 dhjetorin, ditën e konstituuimit të Kuvendit të Kosovës, ku edhe u zgjodh Glauk Konjufca Kryeparlamentar, si dhe ditën kur është takuar me presidentin Hashim Thaçi.
“Sigurisht që kemi mundur e është dashur të arrijmë marrëveshje deri më tash. Pasnesër bëhen 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo, prej këtyre 98 ditëve, për përbërjen e qeverisë ne kemi biseduar vetëm pas certifikimit të rezultateve.
52 ditë ne i kemi humbur, duke pritur a po ia kalojnë pragun një parti ndonëse e kemi ditur që kjo nuk luan fare rol në renditjen e subjekteve tona, se kjo nuk mund ta ndryshojë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Së fundmi, unë jam ekspozuar dy herë në mënyrë të rrezikshme: me 26 dhjetor jam ekspozuar para dy milionë qytetarëve dhe gjithë deputetëve të Kuvendit, pa pasur marrëveshje me LDK-në; dhe, mandej në takimin te Presidenti sërish u detyrova të shkoj pa marrëveshje me LDK-në, por së paku kisha gjysmën e kabinetit tim të bërë publik”– ka thënë Kurti.
Kurti sërish ka thënë se në takimin e fundit me LDK ka pasur lëvizje, pasi sipas tij të dyja palët kanë bërë nga një propozim. Por, ai nuk tregon se çfarë kanë propozuar.
“Në takimin e mbajtur të mërkurën, të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi.
Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”-shton Kurti.
Ndërkaq ai ka shtuar se është i gatshëm të takohet çdo ditë me përfaqësues të LDK’së, deri në arritjen e marrëveshjes.
“Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë.
Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”– është shprehur Kurti.