MENU
klinika

Të tjera histori shqiptare

Letra e kolonelit francez Ordioni, për Voskopojën e djegur

06.01.2020 - 07:28

Kjo është një letër e dërguar nga koloneli francez Andre Ordioni së bijës së tij, Monikës për mrekullitë e Voskopojës, dy vite pas djegies së tretë fatale të Voskopojës, në vitin 1916. Në pjesën e dytë do të lexoni mbresa, kujtime dhe dorëshkrime të kolonelit mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, ashtu si edhe letra e largimit nga vendi i shqiponjave i kolonelit më 18 tetor 1925 kur thoshte: “Se kur njerëzit e drejtë, të ndërgjegjshëm e të ndershëm, do të marrin në dorë fatet e Shqipërisë, vendi i shqiptarëve do të bëhet një vend i kërkuar për natyrën e tij tërheqëse, vendet e virgjëra… dhe mikpritjen e madhe”.

E dashura ime Monikë!

18 janar 1918.

“Nuk e di nëse do të gjej ndonjë qenie të gjallë që mund të më thotë diçka në këtë nekropol të pamat, në këtë qytezë të shtrirë e të shkatërruar, ku shoh veç rrënoja. Megjithatë duket se dy kishëza janë të paprekura, por që të hysh në ato dhe të kalosh natën duhet menduar mirë për shkak të insekteve, që mund të kenë gjetur strehë aty. Atëherë ngremë çadrat tona për të kaluar natën, duke menduar që ti vizitoj ato rrënoja të vjetra që mbushin sipërfaqen e tokës dhe që më duken shumë interesante.

Nuk ka mbetur as edhe një banor në këtë vend të mjerë, çka nxit kureshtjen time mbi gjurmët e atij qytetërimi të zhdukur. Në zgjim nxitoj të shkoj drejt rrënojave të shumta të atij qyteti, që dikur në kohën e begatisë së tij, ka pasur 100.000 banorë. Sipër qytetit të vdekur dalloj një manastir jo të shkatërruar, Shën Prodhromi, i cili duket në gjendje të mirë, pa arritur të kuptoj çka qenë më parë. Përveç kishave nuk shoh asnjë monument të denjë që mund ta përmendësh. Një përrua i bukur përshkon gjithë sipërfaqen e qytetit, duke na treguar ujërat e kristalta me një kthjelltësi, që të nxit ta shijosh menjëherë e të ngopesh. Duke mos pasur asnjë tjetër për të studiuar, iu kushtova kishave që më duket se ishin 23 të tilla, por ku vetëm dy ishin të paprekura dhe meritonin të ndaleshe për një çast. Janë shumë interesante dhe me një seri ikonash, punime në dru të gdhendura mjaft mirë dhe piktura të panumërta.

Këto vepra arti, të kërcënuara nga një shkatërrim i sigurt, duket sikur janë punuar nga italianë. Çdo pikturë mbart një apo dy mbishkrime në greqisht, por mjerisht askush nga ne nuk di greqishten. Po atëherë….?

Në navarrën tjetër ne shohim skenat e Ferrit që tregojnë mundimet sipas mëkatit të bërë… Veprat prej druri të punuara mirë dhe me kujdes të jashtëzakonshëm, janë të mrekullueshme. Të gjitha janë në dru dushku të vjetër dhe kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Meqë s’mund t’i marrim, informoj prapavijën që t’i shpëtojnë dhe t’i vendosim në një muze.

Ndoshta për nga origjinaliteti i tyre mund të klasifikohen me artin bizantin. As ikonat s’mund t’i merrnim. Megjithatë, pranë sakritisë gjej një ikonë të madhe sa një shami xhepi, gjysmë të fshirë, të cilën e marr. Do të jetë për nënën tënde, që ajo ta vendosë në sallonin e saj dhe do të jetë e varur në krah të tablosë tjetër të rëndomtë që është tashmë. Në tokë shoh vepra të grisura, të gjitha të shkruara në greqisht, por tepër të shkatërruara.

Duket se ndodhemi ndoshta në një qytet universitar fetar dhe në të njëjtën kohë, nisur nga vendndodhja në lartësinë 1100 metra, është edhe një stacion veror.

(“Një oficer francez në Ballkan 1917-1925”- faqe 24-25)

Andre Ordioni, shqiptarët dhe Shqipëria

Libri “Një oficer francez në Ballkan 1917-1925” (“Un officier français dans les Balkans” 1917-1925) në vëllimin e I-rë, Shqipëria dhe Maqedonia, shkrime të kolonelit Andre Ordioni, janë përgatitur nga nipi i tij Domenique Daguy des Deserts, e botuar nga Shtëpia botuese “Papirus”.

Libri sjell për lexuesit, dorëshkrimet e tij, duke ndriçuar aspekte të veprimtarisë së kolonelit Ordioni, në caktimin e kufijve politikë të shtetit shqiptar kryesisht në Shën Naum dhe në Vermosh, duke dhënë qëndrime për një etapë të veçantë të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë me Fuqitë e Mëdha dhe Francën në veçanti, por edhe për Shqipërinë e fqinjët e saj ish-Jugosllavinë.

Jean Andre Ordioni, lindi në Korte të ishullit të Korsikës. Njohës i disa gjuhëve të huaja si dhe një ushtarak me kulturë të gjerë klasike e ushtarake, njëherazi, Komandant i Legjionit të Nderit dhe mbajtës i Kryqit të Luftës të viteve 1914-1918. Kolonel Ordioni, mori komandën e Korçës më 11 nëntor 1917, duke luftuar kundër trupave austriake, deri në gusht të 1918. Nga ky vit, deri në janar të 1919-ës, ushtroi funksionet e administratorit të Korçës dhe Pogradecit si dhe të komunave shqiptare nën pushtimin francez. Nga prilli i vitit 1923, deri më gusht të 1926, kreu detyrën e anëtarit të komisionit të kufijve në Shqipëri.

Në dorëshkrimet e botuara përshkruhen ngjarje në aspektin politik, ushtarak dhe diplomatik të periudhës së Luftës së Parë Botërore e më pas. Vëllimi, është konceptuar dhe ndarë në 5 kapituj. Në kapitullin e parë të njeh me figurën se kush është Andre Ordioni dhe raporti i tij me Shqipërinë. Për të vazhduar me kapitullin e dytë që i kushtohet letrave të tij dërguar nga Shqipëria, gruas Mari dhe fëmijëve Renee, Pierre e Monique, letra të shkruara nga nëntori i vitit 1917 e deri në tetorin e vitit 1925, kur ai largohet përfundimisht nga vendi. Përgatitësi i ka sjellë këto shkrime pa censurë, duke dhënë vlerësimet e kolonelit në kohën kur ai jetoi, luftoi dhe veproi.

Mjaft interesante janë 64 letrat e botuara, të cilat përveç shkrimit për çështjet familjare që lidhen me ngjarje private të tij, janë mjaft të pasura me informacion dhe fakte historike, të cilat Koloneli i përjetoi gjatë shërbimit të tij në Shqipëri dhe Maqedoni. Letrat janë të shkruara me shumë kujdes, me një gjuhë të pasur dhe me elegancë. Të pasura me analiza, ku çdo njëra prej tyre jep mesazhe dhe fakte për gjithë vitet që veproi në Shqipëri nga veriu në jug. Të habit përshkrimi i hollësishëm i qyteteve, që flet për njohurit e mëdha të marra për historinë e tyre, administrimin, zakonet dhe pozicionet gjeografike.

Në letrën e 29 nëntorit 1917, e përshkruan Korçën si një qytet modern dhe me kulturë. “Në të gjitha cepat e rrugëve lexoj emrat e personazheve të vendit dhe të huaj, që kanë bërë diçka për Shqipërinë”, duke filluar nga mbretërit Konstantin e Aleksandër, e deri te Viktor Hygo, Pasteur e Descoins.

Mjaft mbresëlënëse, është letra e datës 18 tetor 1925, dërguar nga Saranda, bashkëshortes së tij, ku ai i shpreh emocionet që përjetoi me largimin nga Shqipëria në përfundim të misionit të tij për rreth 5 vite. I spikatur është dhe titulli “Lamtumirë Shqipëri”, i zgjedhur nga Dominique Danguy des Deserts.

“Pas pak do ti hipi anijes për të ardhur përsëri në Perëndim, duke i thënë dhe një herë lamtumirë Shqipërisë”, shkruan Koloneli Ordioni. “Vallë do të jetë hera e fundit?…Sido që të jetë, do doja t’i dërgoja lamtumira të tjera Shqipërisë, sikur të mos kthehesha më. Mbi të gjitha , këto janë urimet e mia më të mira e më të sinqerta, që dua të dërgoj edhe pse jo përmes telegrafit. Duke lënë këtë tokë të shqiptarëve, u uroj atyre paqe e begati. Duke luftuar për pavarësinë e saj më 1918, duke kontribuar në përcaktimin e kufijve dhe për pasojë në krijimin e një shteti të lirë e të pavarur, unë do të interesohesha gjithnjë për fatin e saj: do të duartrokas sukseset e saj dhe do të vuaj për hallet e saj”.

Ai përcjell mesazhe që i burojnë nga zemra dhe dëshira për përparimin e Shqipërisë, duke shprehur besimin dhe dëshirën e fundit të tij: “Se kur njerëzit e drejtë, të ndërgjegjshëm e të ndershëm, do të marrin në dorë fatet e Shqipërisë, vendi i shqiptarëve do të bëhet një vend i kërkuar për natyrën e tij tërheqëse, vendet e virgjëra… dhe mikpritjen e madhe”.

Në pjesën e tretë “Rrëfime lufte dhe pas lufte”, publikohen shkrime të detajuara mbi betejat e drejtuara në pozicionin e komandantit të grupimit të Maliqit, nga nëntori i 1917 deri në gusht të 1918, ku më pas veproi dhe në krahinën e Korçës, si administrator i saj në vitet 1917-1918.

Një vend të veçantë në këto dorëshkrime, zënë ngjarjet e sjella nga zona e pushtimit francez në Shqipëri, gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shpalosin veprimet e reparteve të ushtrisë franceze të Armatës së Lindjes, të cilat më 1916 pushtuan Korçën dhe më 1917, Pogradecin.

Para ardhjes së forcave franceze, qyteti i Korçës ishte në duart e ushtrisë greke që nga 1914, pushtim që kishte rritur shumë pakënaqësinë e popullsisë, sjell momente historike të saj,

si mitingu i 10 dhjetorit 1916, ku komanda franceze nënshkroi me përfaqësuesit e këtij qyteti, një protokoll ku Korça së bashku me Kolonjën, Gorën dhe Oparin do të formonin një krahinë autonome të administruar prej shqiptarëve dhe nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze.

Në pjesën e katërt “Kufijtë e Shqipërisë” që është nga më të rëndësishmet për nga informacioni që sjellin shënimet e tij, janë botuar të transkriptuara shkrimet e tij të lëna në pesë fletore shkolle dhe hedhin dritë për veprimtarinë si anëtar dhe përfaqësues i Francës në Komisionin Ndërkombëtar e Përcaktimit të Kufijve të Shqipërisë.

Këtë ide e zbulon më së miri letra që i dërgon gruas së tij Mari, më 12 tetor 1925 nga Shën Naumi “Ka ardhur koha të them – nënvizon Koloneli Ordioni – se ç’mendoj për këtë, për vlerën e manastirit dhe arsyet e vërteta, që të paktën unë i mendoj si të vërteta dhe për çka jugosllavët janë dhënë aq shumë pas këtij institucioni të famshëm fetar. Arsyeja që do të tregoj dhe që nuk e kam shkruar në asnjë raport zyrtar, apo jo zyrtar është se, unë nuk kam prova ta argumentoj këtë, pra s’mund ta pohoj. Për mua nuk është asnjë çështje fetare, as etnike e strategjike, që i detyron jugosllavët të këmbëngulin për ta pasur atë në territorin e tyre, por mbi të gjitha dhe para së gjithash është një arsye ekonomike dhe vetëm kjo”.

Në pjesën fundit të librit, përgatitësi e ka emërtuar “Çështja Shqiptare”, ku publikohet një dorëshkrim i referatit të Kolonelit Ordioni, mbajtur në Shoqërinë e Shkencave në Yonne.

Referati risjell dhe përshkruan aspekte të gjeografisë dhe të historisë së Shqipërisë. Në të, ai paraqitet njohës mjaft i mirë i historisë së ilirëve, të periudhës së Bizantit, asaj Osmane e deri në prag të Luftës së Parë Botërore, e më pas.

Dorëshkrimet sjellin informacion dhe përshkrime të pafundme për Ballkanin dhe ballkanasit, për tiparet dhe ngjarjet e zhvilluara në Shqipëri e Maqedoni. Në dorëshkrimet e tij gjejmë mjaft mendime të dhëna mbi realitete historike shqiptare gjatë dhe në përfundim të Luftës së Parë Botërore, të cilat mëshirojnë dhe interesat e shtetit francez, që ai dhe përfaqësonte, duke sjellë përmes tyre fakte të reja historike për ngjarje të nxehta të zhvillimeve politike në vend.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit