MENU
klinika

Fokusi tek zyrtarët e lartë

Ligji për SPAK mund të ndryshojë

21.01.2020 - 13:42

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi deklaroi sot se në vitet e ardhshme mund të rishikohet ligji për kompetencat dhe juridiksionin e SPAK-ut.

Ai sqaroi se parashikimi aktual ligjor e ngarkon SPAK me hetimin e një portofoli veprash penale më të zvogëluar në krahasim me ish-Prokurorinë për Krimet e Rënda. Por sërish këtu sipas tij ka nevojë për rishikim duke paralajmëruar ndryshime.

Ibrahimi tha se SPAK-u me kompetencat aktuale duhet të hetojë cdo rast korrupsioni në të gjithë vendin, por kjo gjë do të ngarkonte këtë strukturë.

Ndryshimi që duhet të bëhet sipas tij lidhet me ngushtimin e portofolit të veprave penale që duhet të ketë në juridiksion për t’u fokusuar vetëm te zyrtarët e lartë dhe jo cfarëdo rasti korrupsioni në vend. Kreu i KLP-së kishte kritika edhe për buxhetin.

“Unë nuk mund të them asgjë si hetohet korrupsioni, nuk jam hetues dhe prokuror. Por unë do të flas për kushtet që bëjnë të mundur suksesin e hetimit të korrupsionit, për disa ka qenë përgjegjës KLP, që unë drejtoj. KLP është një organ kolegjial, që futet në zemër të prokurorisë, një organ që priret që të jetë e mbyllur, natyra është e tillë.

Jemi nën financuar në mënyrë dramatike ne dhe SPAK-u. Nuk mund të ketë rezultate pa mbështetje financiare. Cfarë heton SPAK? Ka një përqendrim te ato vepra që janë të rëndësishme krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Prokuroria e posaçme do të jetë e detyruar të hetojë edhe cështjen më banale të korrupsionit deri në nivelin e lartë të zyrtarëve dhe politikës.

Në rast se ne presim rezultate në luftën kundër korrupsionit, portofoli i juridiksionit duhet të jetë i fokusuar te funksionarët që kanë peshë, nuk është zgjidhja më e mirë, por edhe mund të rishikohet në të ardhmen përsa i përket juridiksionit.

Është e domosdoshme që portofoli të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar ndaj atyre funksionarëve që kanë peshë. Kjo edhe mund të rishikohet në të ardhmen, por sidoqoftë kemi një zhvillim të madh cilësor”- tha ai.

Ndërsa drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja i kujtoi edhe një herë Ibrahimit kërkesën për shtimin e dy prokurorëve duke i kërkuar që të veprojë sa më shpejt, pasi puna e këtij institucioni ka nisur.

“Kemi filluar hetimet, kemi rivendosur lidhjet me partnerët, janë disa ekipe të përbashkëta hetimore. Prokuroria ka 8 prokurorë të emëruar dhe dy komanduar, meqë kam kryetarin (të KLP-së) këtu, i bëj thirrje të vijojë procedurën për emërimin e dy të tjerëve”- tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do të nisë ҫmontimi i korrupsionit..."

“SPAK”/ Çështjet e ‘nxehta’ po presin shtatorin

Kraja: Duam prokurorë të tjerë

“SPAK nuk përballon dot kallëzimet”