Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka akuzuar liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski se po rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut me kërcënimet për anulimin e Marrëveshjes së Prespës nëse fiton zgjedhjet parlamentare të 12 prillit.
Zaev tha se anulimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit, do ta kthente Maqedoninë e Veriut 25 vjet mbrapa.
Maqedonia e Veriut, – tha Zaev- paskësaj jo vetëm që nuk do të pranohej në NATO por do të mbetej edhe jashtë Bashkimit Europian.
Ish kryeministri maqedonas tha gjithashtu se “Pa Marrëveshjen e Prespës Maqedonia do të humbiste mbështetjen e partnerëve strategjikë, do të riktheheshin bllokadat nga ana e Greqisë si dhe do të kemi paqëndrueshmëri të brendshme dhe rreziqe për konflikte”.
Zaev i bëri thirrje Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së që të ndalojë me tezat e rrezikshme dhe manipuluese për rrëzimin ose ndryshimin e marrëveshjes, duke thënë se pa Marrëveshjen e Prespës nuk do të ketë të ardhme për Maqedoninë.