MENU
klinika

Shijoni nga një tregolësh për çdo event

“Mbreti” i tripletave, CR7 i shënoi në 10 kompeticione

08.01.2020 - 17:50

Në ndeshjen e fundit ai shënoi 3 gola, madje dha edhe një asist në fitoren 4-0 të Juventus. Cristiano Ronaldo e filloi vitin 2020 në mënyrën më të mire të mundshme.

Tregolëshi kundër Cagliarit ishte i 56-ti i karrierës së tij. Dhe arritja më e jashtëzakonshme është se kampioni portugez i ka regjistruar këto “tripoleta” në dhjetë kompeticione të ndryshme.

Më konkretisht, 34-vjeçari ka shënuar tregolësha në Premier League, La Liga, Serie A, kualikueset e Botërorit, kualikueset e Europianit, Kupën e Mbretit, Botërorin e Klubeve, Kupën e Botës, Ligën e Kombeve dhe Champions League.

Ylli portugez ka vendosur një rekord të ri. Në videon e mëposhtme do të keni mundësinë të shikoni një pjesë të mirë të tregolëshave të tij në të gjitha kompeticionet.

SERIE A

Këtu nuk kishte vend për zgjedhje, pasi ai kundër skuadrës kundër Cagliari-t ishte i pari “hat-trick” në Itali. Për këtë ai priti për më shumë se një vit.

PREMIER LEAGUE

E njëjta gjë vlen edhe për ligën angleze. I pari “hat-trick” (dhe i vetmi) ishte ai ndaj Newcastle, në fitoren 6-0 të Manchester United, në vitin 2008.

LA LIGA

Përzgjedhja ra mbi “hat-trick” kundër Atletico Madridit, në prill 2012. Një goditje dënimi, një gol i jashtëzakonshëm nga aksioni dhe një tjetër nga penalltia për Real Madridin e Jose Mourinho, në fitoren 4-1.

KUALIFIKUESET E BOTËRORIT

“Hat trick” në “Far Oer” nuk mund të harrohet. Pse? Sepse falë atij tregolëshi, Ronaldo arriti kuotën e 78 golave me Portugalinë, një më shumë se Pelé (77) me Brazilin.

KUALIFIKUESET E EUROPIANIT

Një nga “hat trick” më të freskët. E kemi fjalën për tre golat e shënuar ndaj Lituanisë, në fund të vitit 2019.

KUPA E MBRETIT

Në këtë garë, Ronaldo shënoi dy “hat-trick” me Real Madridin, me distancë kohore prej tri vitesh. Në këtë përzgjedhje ia vlen të kujtohet “tripleta” e jashtëzakonshme e portugezit kundër Celta Vigo, në vitin 2013.

BOTËRORI PËR KLUBET

“Hat-trick” kundër Kashima Antlers, në vitin 2016, lejoi Real Madridin të ngrihej në “çatinë” e botës.

KUPA E BOTËS

“Hat-trick” mbresëlënës i CR7 në barazimin 3-3 ishte “qershia mbi tortë” e ndeshjes së 15 qershorit 2018, Spanjë-Portugali, në atë mbrëmje të Sochi.

LIGA E KOMBEVE

Vetëm dy paraqitje në këtë kompeticion të ri të UEFA-s për Ronaldon. Megjithatë, në të parën, gjysmëfinalen kundër Zvicrës, ai realizoi “hat-trick”, çka bëri që Portugalia “të fluturonte” në finale me Holandën.

CHAMPIONS LEAGUE

Ky është kompeticioni i Cristiano Ronaldos. “Hat-trick” i firmosur në “Bernabeu”, kundër Atletico Madridit në vitin 2017, nuk harrohet. Nuk mbetet pas edhe “hat trick” tjetër, me fanellën bardhezi, realizuar sezonin e kaluar, kundër “Colchoneros”.