MENU
klinika

In memoriam

Me përkrenaren e Pirros, kundër errësirës otomane

17.01.2020 - 13:15

      Në Lezhë, 552 vjet më parë, 17 janari i vitit 1468, do të shënonte humbjen e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Gjergj Kastrioti lindi në vitin 1403. I përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim.

Kthimi i tij në Krujë më 1443, nuk kishte të bënte me fenë, por me Atdheun e pushtuar, të cilit i doli zot si askush tjetër në Ballkan apo në Evropë. Ai për herë të parë në historinë e principatave, e princërve shqiptarë që ia hanin kokën njëri tjetrit duke u shërbyer herë Romës, herë Bizantit e herë Turqisë; edhe pse me mund, arriti t’i bashkojë dhe arriti të krijojë bërthamën e fuqishme të rezistencës, që e njohu Turqia dhe mbarë bota.

Qëndresa e tij, përballja e suksesshme kundër Perandorisë, të cilës i kishte shërbyer për shumë vite, por ajo nuk ia kishte realizuar premtimin, strategjia ushtarake e politike, vendosen bërthamën e Arbërisë, e cila pas vdekjes së tij, më 17 janar 1468, kishte filluar të quhej edhe Shqipëri, sepse ai kishte luftuar me flamurin që kishte shqiponjën dykrenore në mes. Prej asaj kohe fjala “shqiponjë” prodhoi emrin sinonim kombëtar, shqiptar, me të cilin ata identifikoheshin, pavarësisht se të huajt kurrë nuk e njohën as e njohin këtë emër. Ata na kanë quajtur dhe na quajnë në bazë të emrit “arbër”, nga qyteti Albanoi, Albanopolis, që del i shënuar edhe në hartën e Ptolomeut, qysh në shekullin e dytë.

Gjergj Kastriot Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare. Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa prijësin e madh, Skënderbe.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin XV dhe ishte një shembull për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral, njeri me principe dhe me ideale. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij.

kolana e librave

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Diber. U mor peng si jeniçer pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e quan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.

Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg. Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.

Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbrit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin, për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare. (Wikipedia)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull

Dumas: Si e njoha Ali Pashën

“Shqiptarët kanë ligj shpagimin”