MENU
klinika

Kolona të gjata për të dalë nga Kosova

Mërgimtarët po keqtrajtohen nga serbët!

06.01.2020 - 10:01

Me orë të tëra mërgimtarët është dashur të presin për të hyrë në Kosovë e po ashtu për të dalë nga vendi.

Për shkak të festave të fundvitit ata kishin vendosur të vijnë në Kosovë, por rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë.

Deri në shtatë orë mërgimtarët kanë pritur në Merdare për të dalë jashtë kufirit. Derisa kishin vendosur që festat t’i kalojnë në Kosovë, ata janë ballafaquar me pritje shumorëshe si për të hyrë në vend, ashtu edhe për të dalë. Nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar është bërë e ditur se pritja në pikën kufitare në Merdare gjatë ditës së djeshme ka qenë 6 orë e 40 minuta deri në 7 orë për të dalë nga vendi.

Kolonë të gjatë të veturave dje ka pasur edhe në pikën kufitare të Maqedonisë së Veriut me Kosovën. Qytetarët edhe në këtë pikë kanë pritur me orë të tëra, pasi procedurat e kontrollimit të dokumenteve ka qenë të ngadalshme. Për më shumë, me pritje të gjata mërgimtarët janë ballafaquar edhe për të hyrë në Kosovë. Sipas njoftimeve, para Vitit të Ri mërgimtarët kanë pritur deri në 6 orë për të hyrë në vend.

Pavarësisht pritjeve me orë të tëra, mërgimtarët kanë pasur edhe probleme në pikën kufitare në Merdare.

Gjatë ditës së shtunë është raportuar se atyre u janë shpuar gomat e veturave, derisa edhe u janë prishur veturat. Një bashkatdhetar, i cili jeton në Gjermani, ka treguar për medie se pas kalimit të pikës kufitare ai ishte ndalur për të pushuar në një pompë derivatesh. Sipas tij, gjatë pushimit disa serbë ia kishin prishur veturën, e cila pastaj nuk i ishte ndezur. “Pas një orë e gjysmë vozitjeje jam ndalë për të pushuar në një pompë karburanti. Kisha fjetur pak në veturë, edhe xhamat ishin avulluar. Unë e provova ta ndezë veturën që të nxehet pak, sepse doja të vazhdoja rrugën, por ajo nuk u ndez. Kur dola jashtë disa serbë aty më thanë mos e provo se e prish më shumë”, ka thënë ai.

Ai ka bëtë të ditur se serbët i kishin kërkuar dy mijë euro që t’ia rregullonin veturën. Mirëpo ai u kishte thënë se s’ka mjaftueshëm para për ta paguar shumën e kërkuar, derisa ata ia kishin zbritur çmimin në 900 euro. Për shkak se ishte ftohtë dhe për shkak se kishte dy fëmijë me vete e gruan, ai kishte pranuar t’i paguajë ata. Më pastaj ka thënë se e kanë transportuar në një fshat më kilometra larg pompës. “Më thanë se do të dërgojmë diku për ta rregulluar. Hipëm në kamion dhe aty ishte shumë ftohtë, kisha fëmijët, kam përjetuar tmerr. Më thanë kerri u rregullua dhe duhet të paguaj 1 mijë e 500 euro. U thashë se nuk kam, kam vetëm 700 euro. Ua dhashë dhe si në kërcënim më thanë se duhet t’ia sjellë edhe tjerat”, është shprehur ai.

Probleme në këtë shtet ka pasur edhe Nezir Mehmetaj. Ai është ndalur të premten nga shteti serb, ku edhe është në paraburgim me dyshimin për “Krime të luftës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Thirrje për kosovarët

“Mos kaloni kah Serbia!”